Në kulmin e luftës së tij kundër shtetit kolumbian, Pablo Escobar shndërroi rrugët e Medellín-it në shesh beteje, ku armët nuk i mbanin më vetëm bandat, por edhe adoleshentët.
Në studion e “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha rrëfen episodin, kur Escobar vuri një çmim për çdo polic të vrarë, duke i rekrutuar të rinjtë e qytetit me shpërblime që rriteshin sipas gradës së viktimës. Ishte një sistem makabër që mbolli terror dhe e gjunjëzoi moralin e forcave të rendit.
Gazetari, Blendi Fevziu ngriti pyetjen se sa ishte numri i viktimave, përgjigjja tronditëse e Artan Hoxhës ishte 4,216 jetë të humbura, të përjetësuara sot në një memorial në formën e një gjarpri të zi, me vrima plumbash në vend të emrave.
Aty prehen ministrat, politikanët, gjyqtarët dhe qytetarët që guxuan t’i dalin përballë një njeriu që donte të kthehej në shtet më vete. “Rruga e heronjve”, siç quhet sot, është dëshmi e një epoke ku përballë Escobarit, edhe jeta kishte një çmim.
Artan Hoxha: Në kulmin e vet Escobar në betejën kundër qeverisë kolumbiane, vuri një çmim për të rinjtë dhe adoleshentët e qytetit, për çdo polic të vrarë. Në bazë të gradës që ata vrisnin, aq më i lartë ishte shpërblimi dhe kjo krijoi një terror në forcat e policisë.
Blendi Fevziu: Sa është numri i viktimave?
Artan Hoxha: Në memorialin që është krijuar në formën e një gjarpri të zi, në faqet e memorialit janë vrimat si shenja plumbash dhe atje është numri i personave që ka vrarë, është 4216 veta, duke përfshirë civilë, ushtarakë… Është rruga e heronjve ku prehen ministrat, politikanët, deputetët që janë vrarë. ‘Rruga e heronjve”, janë njerëzit publikë, të cilët u përballën me Pablo Escobar, prandaj dhe kjo u kthye në një memorial, ku janë datat kryesore të atentateve dhe në krahun tjetër ishin shenjat e plumbave që kujtonin çdo të vrarë nga Pablo Escobar./tvklan.al