Çfarë fshihet pas vizitës së arabëve në Tiranë? Cili eshte investimi gjigand qe eshte diskutuar nga Edi Rama

Po planifikohet zhvillimi i një qendre të të dhënave në Shqipëri, por ende nuk dihet roli i saj, ndërsa mes delegacionit që shoqëronte Presidentin e Emirateve të Bashkuara, ishte edhe Edge Group, një nga kompanitë e teknologjisë ushtarake me rritjen më të shpejtë në Botë…

Dy ditë më parë Shqipërinë e vizitoi Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed. Kryeministri Edi Rama i bëri jehonë vizitës së tij, ndërsa e konsideroi një mik të rrallë dhe dashamirës të madh të Shqipërisë. Madje, Rama tha se Sheikh Mohammed bin Zayed më shumë se njëherë ka qëndruar pranë popullit shqiptar në ditë tejet të vështira.

Por pjesë e delegacionit të kryesuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ishte edhe Khaldoon Al Mubarak, i cili zotëron Mubadala Investment Company, që konsiderohet ndër kompanitë kyçe në botën financiare globale.

Në fakt, emri i Al Mubarak nuk u përmend fare nga Kryeministri dhe gjithçka u trajtua si një vizitë zyrtare e Presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, që pas qëndrimit disa orësh, udhëtoi drejt Budapestit.

Por cili ishte qëllimi i vizitës së Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed dhe bosit të Mubadala Investment Company në Tiranë, çfarë është diskutuar, për çfarë janë dakordësuar dhe cilat projekte mund të vihen në zbatim?

Zyrtarisht nga Tirana zyrtare nuk raportohet asnjë fjalë, madje nëse i referohemi fjalimit të Edi Ramës, duket se delegacioni i nivelit të lartë, erdhi në Tiranë për një vizitë kortezie.

Në fakt Mubadala kontrollon miliarda dollarë në asete dhe mban investime strategjike në teknologji, energji, kujdes shëndetësor, turizëm dhe infrastrukturë në të gjithë globin.

Nëse bëjmë një lidhje mes vizitës në Tiranë dhe asaj në Budapest mund të hidhet pak më shumë dritë mbi atë se çfarë mund të synohet nga grupi i biznesmenëve arabë, përfshi edhe Mubadala Investment Company.

Në Hungari, dy nga kompanitë më të shquara të Emirateve të Bashkuara Arabe, grupin e telekomunikacionit dhe teknologjisë e& dhe investitori sovran Mubadala Investment Company nënshkruan marrëveshje paraprake bashkëpunimi me grupin 4iG, i cili në Shqipëri ka nën zotërim kompaninë e telefonisë celulare ‘One Albania”.

Referuar informacioneve të raportuara nga mediat ndërkombëtare, njësia hapësinore e 4iG, 4iG SDRT, ka nënshkruar tre marrëveshje paraprake mbrojtëse me EDGE Group, një nga firmat e teknologjisë ushtarake me rritjen më të shpejtë në botë.

Marrëveshjet, të njoftuara gjatë vizitës zyrtare të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, në Budapest, janë hartuar për të nxitur iniciativa të përbashkëta në infrastrukturën dixhitale, telekomunikacionin dhe investimet strategjike, me një fokus të veçantë në rajonet e EQL-së dhe MENA-s, së bashku me Ballkanin Perëndimor.

Çfarë fshihet pas vizitës së arabëve në

4iG dhe e& kanë rënë dakord të eksplorojnë projekte të përbashkëta të kabllove të të dhënave nënujore që do të përmirësonin lidhjen dixhitale midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Partnerët po planifikojnë gjithashtu zhvillimin e përbashkët të një qendre të të dhënave në Shqipëri, si dhe duke synuar sipërmarrje të mëtejshme në infrastrukturën dixhitale në Hungari, duke përfshirë projekte me PPF Telecom.

Por çfarë roli do të luajnë kjo qendër të dhënash në Shqipëri? Kjo ende nuk dihet, por mund të jetë një nga çështjet që paraprakisht delegacioni nga Emiratet e Bashkuara ka diskutuar me Kryeministrin Rama në Tiranë.

Referuar asaj që raportohet nga mediat ndërkombëtare, kreu i kompanisë 4iG, Gellert Jászai, ka theksuar se ky partneritet me aktorët kryesorë të teknologjisë dhe investimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe mbështet strategjinë e rritjes së 4iG në vend dhe ndërkombëtarisht. “Marrëveshjet hapin dyer të reja për 4iG në tregjet kryesore rajonale dhe na lidhin me qendrat globale të inovacionit”, shtoi ai.

Drejtori Ekzekutiv i e&, Hatem Doëidar, e quajti marrëveshjen “një hap të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës dixhitale ndërrajonale”, duke vënë në dukje se infrastruktura e fuqishme dhe e shkallëzueshme është thelbësore për inovacionin dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Çfarë fshihet pas vizitës së arabëve në

Mubadala, e cila menaxhon një portofol që tejkalon 330 miliardë dollarë në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë hapësirën, infrastrukturën dixhitale dhe teknologjitë e përparuara, ka rënë dakord të eksplorojë mundësitë e investimeve të përbashkëta, bashkimeve dhe blerjeve dhe tregut të kapitalit me 4iG, kryesisht në Hungari dhe në Ballkanin Perëndimor.

Njësia hapësinore e 4iG, 4iG SDT, në një deklaratë të veçantë, njoftoi se ka nënshkruar tre marrëveshje kyçe me EDGE Group për të bashkëzhvilluar dhe lokalizuar teknologjitë e përparuara të mbrojtjes, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore (Skynight), municionet e lëvizshme (Shasoë) dhe platformat e menaxhimit të trafikut të dronëve (Vega, Orion).

Në vijim theksohet se partneriteti synon të ofrojë zgjidhje të pajtueshme me NATO-n për tregjet evropiane dhe afrikane dhe përfshin plane për kërkim-zhvillim të përbashkët, prodhim dhe sipërmarrje të përbashkëta të mundshme.

Tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë interesat e dy kompanive të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri dhe sa do të përfshihen ato në tregun e telekomunikacioneve apo më gjerë, referuar marrëveshjes me kompaninë që zotëron One Albania.  /Pamfleti/

Politike