Në vitet e fundit, Shqipëria është vendosur në një udhëkryq vendimtar për të ardhmen e saj demokratike dhe ligjore. Përpjekjet për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë hyrë në një fazë të re, me ndihmën e drejtpërdrejtë dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në qendër të kësaj lufte qëndron SPAK që sot edhe me administratën e re të Donald Trump po mbështetet fuqishëm nga ekspertë amerikanë, veçanërisht nga FBI dhe një strukturë më pak e njohur për publikun shqiptar, por shumë efektive: OPTAD.
Por kush janë OPTAD dhe çfarë roli kanë? OPTAD, (Office of Prosecutorial and Technical Assistance Division) është një strukturë e specializuar amerikane që operon nën Departamentin e Shtetit dhe ka për qëllim mbështetjen teknike dhe ligjore për vendet partnere në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në Shqipëri, OPTAD ka vendosur një grup të zgjedhur ekspertësh që ndihmojnë SPAK në ndërtimin e çështjeve komplekse ndaj figurave të profilit të lartë, të cilët për shumë vite kanë qenë praktikisht të paprekshëm.
Skema amerikane “Follow the Money” (Ndiq Paranë)
Raportet e fundit të SPAK bëjnë me dije se ekspertët e OPTAD janë të përfshirë jo vetëm në asistencë teknike, por edhe në hartimin e strategjive hetimore afatgjata, ku përfshihet ndjekja e rrjedhës së parave (money tracking), përdorimi i inteligjencës financiare, si dhe aplikimi i teknologjive të avancuara për hetim të thelluar. Përveç ekspertëve të OPTAD, roli i FBI-së ka qenë gjithashtu thelbësor. Agjentë të posaçëm të FBI-së kanë ndihmuar SPAK për të hetuar sipas standardeve amerikane. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e cilësisë së provave të mbledhura, si dhe në ndërtimin e dosjeve që janë në gjendje të përballojnë presionin e mbrojtjes së figurave të fuqishme.
Objektivat: Politikanë, oligarkë dhe njerëz të drejtësisë të korruptuar
Bashkëpunimi i thelluar mes SPAK dhe autoriteteve amerikane është përqendruar në një listë konkrete objektivash që përfshijnë: Ish-ministra dhe deputetë të lidhur me afera korrupsioni e abuzim me fondet publike. Oligarkë që kanë ndërtuar perandori ekonomike mbi bazën e favoreve politike dhe kontratave të dyshimta publike. Kryebashkiakë dhe drejtues të institucioneve lokale të përfshirë në pastrim parash dhe abuzime me tokat publike. Anëtarë të sistemit të drejtësisë (gjyqtarë, prokurorë) që kanë penguar drejtësinë në këmbim të përfitimeve monetare apo presioneve politike. Persona të lidhur me botën e krimit të organizuar që kanë vepruar me mbështetje të qartë nga struktura shtetërore.
Trajnimet e prokurorëve nga amerikanët
Në raportin e vitit të kaluar të SPAK thuhet se: Që një institucion të realizojë qëllimet dhe objektivat e përcaktuara në ligj, duhet jo vetëm të disponoj burimet e nevojshme, por edhe t’i përdorë ato me efektivitet. Duke marrë në konsideratë natyrën dhe kompleksitetin e çështjeve të Prokurorisë së Posaçme, e cila vjen gjithmonë e në rritje, roli i një personeli administrativ të trajnuar në funksionet mbështetëse është shumë i rëndësishëm për performancën dhe efikasitetin e Prokurorisë së Posaçme. Prokurorët dhe Hetuesit Financiar zhvillojnë trajnime, të cilat kryesisht kanë pasur në vëmendje ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe profesionale në aspektin e hetimit dhe ndjekjes penale, të cilat zhvillohen nga Shkolla e Magjistraturës, si dhe Projektet e ndryshme ndërkombëtare.
Për ngritjen e kapaciteteve profesionale të burimeve njerëzore, lidhur me trajnimet, gjatë vitit 2024, nga Prokuroria e Posaçme kanë ndjekur trajnimet e ofruara nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) gjithsej rreth 50 punonjës, nga Komisioni Europian dhe Organizata të tjera Ndërkombëtare rreth 48 punonjës, nga institucione trajnuese private rreth 6 punonjës. Në total punonjësit e Prokurorisë së Posaçme kanë ndjekur rreth 41 tema të ndryshme trajnimi, nga një numër i përgjithshëm me rreth 120 punonjës. Gjithsesi gjatë vitit 2024 në bashkëpunim me ASPA, OPDAT, FBI dhe institucione të tjera, janë kryer on-line një pjesë e mirë e trajnimeve të planifikuara”, thuhet ndër të tjera në raportin e SPAK.