Pas ngjarjes tronditëse në fshatin Sheqisht të Fierit, ku një baba akuzohet për ab*zim të rëndë ndaj vajzës së tij 12-vjeçare, familja po përballet me një situatë tejet të vështirë sociale dhe ekonomike. Pas arrestimit të babait, fëmijët e tjerë të familjes kanë mbetur të pastrehë dhe pa ushqim, duke u varur nga ndihma e kufizuar e bashkisë.
Sipas gjyshit të 7 fëmijëve, Xhemal Ruko, i cili është edhe babai i Juelës, nënës së tyre, familja ndodhet në një gjendje shokuese dhe ai ndihet i pafuqishëm përballë kësaj tragjedie. Ai ka bërë një apel të dëshpëruar për ndihmë nga institucionet shtetërore dhe bizneset e ndryshme që kanë mundësi të kontribuojnë në lehtësimin e situatës së tyre.
“Juela nuk ka mundësi të punojë, sepse fëmija më i vogël është vetëm një vjeç. Jemi në një gjendje shumë të vështirë. Kërkojmë ndihmë nga kushdo që mundet”, ka deklaruar Ruko, duke shprehur shqetësimin për mbijetesën e familjes.
Gjyshi ka bërë të ditur se nuk ka pasur ende asnjë kontakt me mbesën e ab*zuar, e cila aktualisht ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë. Ai ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni të rastit dhe ka shprehur keqardhjen që nuk ka mundur të ndërhyjë më herët. “Nuk e dija fare çfarë po ndodhte. Po ta dija, nuk do e lija kështu”, ka theksuar ai
Ndërkohë, nëna e 7 fëmijëve, Juela, po endet në rrugët e Fierit me 6 fëmijët e tjerë, duke kërkuar ushqim dhe strehë. Sipas rrëfimeve jashtë kamerave, shërbimi social i bashkisë nuk ka kontaktuar ende familjen për të vlerësuar nga afër gjendjen e tyre dhe për të ofruar ndihmë të mëtejshme.
Në ndihmë të kësaj familjeje në nevojë janë vënë gazetarët fierakë, të cilët kanë reaguar menjëherë duke ofruar pako ushqimore. Gjithashtu, një biznes lokal i është bashkuar thirrjes për ndihmë, duke treguar solidaritet me familjen e prekur nga kjo ngjarje e rëndë. Situata e familjes mbetet kritike dhe nevojitet ndihmë e vazhdueshme për të siguruar një jetë dinjitoze për fëmijët në këtë periudhë të vështirë.