Bëhet i gjallë i dashuri i Elvana Gjatës, SHISH jep informacionin e fortë, por policia

Megjithëse prej muajit nëntor 2023, ai është në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dosjes “Metamorfoza “SKY-ECC” me prova, për drejtim të një bande trafiku kokaine dhe porositës vrasjesh me pagesë në bashkëpunim me oficerë policie, drejtësia nuk guxon t’i prekë kullat e hotelet, ngaqë ka lidhje me Bablokun…

Trafikanti ndërkombëtar Ervin Mata, i njohur si “Boli” i Elvana Gjatës, në dosjet e SPAK, Interpol Tiranës e Policisë Shqiptare, figuron person në kërkim qysh prej datës 20 nëntor 2023, bashkë me kunatin e tij Eralbi Breçani.

Me prova nga përgjimet “SKY-ECC” dhe hetimet intensive të SPAK, Ervin Mata rezultoi pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet trafikim ndërkombëtar droge, porositje vrasjesh dhe pastrim parash nëpërmjet ndërtimit të HEC-ve, hoteleve e kullave në Shqipëri, bashkë me Erzen Breçanin, disa vrasës e drejtues policie.
Ndërkohë që Ervin Mata është në kërkim e policia po bën sikur e kërkon, para 2 muajsh është futur ilegalisht dhe po qëndron i pa shqetësuar në vend.

Policia, forca speciale FAST-Albania dhe Interpol- Tirana, mund të mos kenë pasur dijeni, në ditët e para pas hyrjes së tij në Shqipëri; por 10 ditë pas hyrjes, SHISH i ka informuar, se Ervin Mata ndodhet brenda territorit të vendit.

Madje, u janë dhënë edhe referenca konkrete, që ai po qëndron te disa adresa në Tiranë, Durrës e Vlorë; te të cilat, policia, Forca Speciale FAST-Albania dhe Interpol-Tirana nuk kanë bërë survejime e aksione kontrolli, as veçmas e as së bashku.

Disa nga bazat e trafikantit Ervin Mata, që ka referuar SHISH për vend-ndodhjen dhe lëvizjet e tij gjatë dy muajve që ka hyrë në Shqipëri, janë hotel “Victoria”, vila në Himarë dhe hotel-resorti “Primavera” i Breçanëve në Lalëz.

Gjatë 17 muajve në kërkim, policia e shtetit nuk ka kryer asnjë aksion për kërkimin e tij brenda Shqipërisë, por nuk ka bashkëpunuar as me partnerët spanjollë, gjermanë e holandezë, të cilët e kanë në kërkim prej 7 vitesh për trafik droge.

Siç duket, trafikantit Ervin Mata i është ngushtuar mundësia e qëndrimit në shtetet e huaja ku u fsheh pas operacionit të SPAK dhe vendosi të kthehet ilegalisht në Shqipëri; ku disa herë nuk është prekur, madje as kur policia e dinte, që te hoteli i tij “Victoria” në Tiranë, mbajti të fshehur kapobandën Talo Çela të Elbasanit.

Edhe pas informacionit të saktë që dha SHISH, policia po bën teatër sikur nuk e zbulon dot se ku qëndron trafikanti Ervin Mata, ndërsa drejtësia nuk guxon t’i prekë kullat e hotelet, ngaqë ai ka lidhje me Bablokun./Pamfleti