Personazhi i njohur i shoëbiz-it shqiptar, Efi Dhedhes, është përballur së fundmi me akuza të rënda dhe të paprovuara, të cilat e lidhin me kontakte të dyshimta me persona të dënuar në burgje. Historia nisi nga një koment i një ndjekëseje në rrjetet sociale, e cila e akuzoi hapur se është pjesë e një liste vajzash të njohura të showbiz-it që dyshohet se takojnë të dënuar në qeli.
“Të ka dalë emri moj që u bën qejfin të burgosurve,” – shkruante ndjekësja në një nga postimet e Efit në Instagram, duke aluduar për përfshirjen e saj në një çështje sensitive që ka qarkulluar në disa portale javët e fundit.
Por reagimi i Efit nuk ka vonuar, dhe ka qenë i ashpër, emocional dhe i drejtpërdrejtë. Fillimisht ajo iu përgjigj komentueses, ndërsa më pas publikoi një video të gjatë në InstaStory, ku përveç mohimit të kategorik të këtyre akuzave, shprehu indinjatën dhe neverinë e saj ndaj portaleve që, sipas saj, nxjerrin lajme të pavërteta vetëm për klikime.
“Dëgjoni tani se ju lashë, sa ju lashë të komentoni dhe të më bëni pis postimet e mia, tani them që të ndaloni. Duhet të vendoset ndonjë ligj për shpifje, për këto pseudo portale që duan të bëjnë klikime. Nuk e di nga i marrin informacionet që janë kaq të sigurt,” – tha Dhedhes me ton të prerë.
Në videon e saj, Efi kërkoi që njerëzit, qofshin portale apo ndjekës, të ruajnë dinjitetin njerëzor dhe të mos abuzojnë me faktin që ajo është personazh publik.
“Nuk më duket aspak e drejtë. Qofsh personazh publik apo njeri i thjeshtë, unë njeri jam. Nuk mendoj se fakti i të qenit personazh publik i jep të drejtën dikujt të flasë në këtë lloj mënyre. Nuk është se ma ndjen… nëse po e bëj këtë story është se, të lutem aman, a u kënaqët? A mbaruat punë ju njerëzit e mjerë që s’keni punë të tjera dhe jeni të palumtur? Nëse keni mbaruar, më thoni që të vazhdoj të postoj prapë,” – u shpreh ajo.
Në përfundim të reagimit të saj, Dhedhes bëri edhe një sqarim publik për një nga pikat që është përdorur si “argument” për aludimet ndaj saj, duke sqaruar se inicialet e përmendura në një nga shkrimet sensacionaliste nuk janë të sajat.
“Për ta mbyllur, inicialet e mia janë I.Dh., jo E.Dh. Nëse do të ishte shkruar diku emri im, do të ishte E.Dh., jo I.Dh.,” – tha ajo, duke nënkuptuar se edhe vetë baza e lajmit është e gabuar dhe e paqëndrueshme.
Një reagim që hap debat më të gjerë: Kufijtë e etikës në mediat online
Ngjarja ka hapur një debat më të gjerë në rrjetet sociale mbi kufijtë e raportimit mediatik, etikën e portaleve dhe nivelin e tolerancës që personazhet publikë duhet të kenë ndaj komenteve shpesh fyese dhe abuzive në internet. Reagimi i Efit Dhedhes është konsideruar nga shumë ndjekës si një qëndrim i drejtë dhe i guximshëm, që duhet të nxisë një reflektim mbi përmasat që po merr shpifja dhe “gjyqi” publik në rrjetet sociale dhe mediat online.
Efi, e njohur për natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe karakterin e fortë që e ka treguar gjatë dhe pas pjesëmarrjes në reality show “Big Brother VIP”, e mbylli reagimin e saj me një mesazh të qartë: ajo nuk do të heshtë kur bëhet fjalë për dinjitetin e saj si njeri dhe si grua.
Për momentin, nuk ka një reagim apo hetim zyrtar që lidh emrin e saj me ndonjë rast konkret, ndërsa vetë Dhedhes duket se është e vendosur të mos lejojë që emri i saj të përlyhet në mënyrë të padrejtë nga lajme sensacionaliste.