Nga Habjon Hasani
INTRO: Kjo info-analizë e gjatë përpiqet të eksplorojë rrethanat dhe motivet e arrestimeve të (ish)/drejtuesëve kyç të koorporatës Bankers Petroleum. Shkrimi është konceptuar në dy kapituj. Në kapitullin e parë bëhet një vëzhgim mbi dosjen penale të prokurorisë së Fierit, në kapitullin e dytë tentohet një eksplorim i motiveve të fshehura i asaj që po ndodh.
Kapitulli 1. Në Fier toka zien
Rreth vitit 2010, kur sektorin e Energjisë e komandonte Ilir Meta dhe LSI, një autokolonë me 5 fuoristrada ndaloi para “Sky Tower” në Tiranë. Autokolona i përkiste një të ashtuquajturi “i fortë” në Fier. Ai po priste biznesmenin Rezart Taçi të zbriste nga zyra. Ishin rivalë, për një tender prej afro 70 mijë ton naftë që Albpetrol e kishte nxjerrë në ankand. Bëhej fjalë për një sasi nafte që Albpetrol e përfitonte nga ndarja e prodhimit me Bankers Petroleum.
Asokohe në garë për ankandin ishin Rezart Taçi (i cili perceptohej si lidhje e ish-kryeministrit të kohës Berisha) dhe grupi në fjalë, që operonte në terren në mbështetje të ish-ministrit të Energjisë Ilir Meta.
Autokolona kishte ndaluar veç për të thënë një fjalë drejt e në sy: “Mund edhe ta marrësh ti tenderin, por s’e gëzon dot; nuk shkel dot në Fier”.
Në lojë u futën negociatorë politikë dhe si përfundim ky grup i qytetit mori tenderin e shumë përfolur.
Ky moment ka qenë ndoshta një nga treguesit më të fortë të degradimit të sektorit hidrokarbur, një sektor që dikur përfshinte ajkën inxhinierike dhe menaxheriale të qytetit, kishte nisur të funksiononte me të njëjtin mentalitet të tregut të heroinës. Dekadencë dhe porkeri e paparë.
Por paradokset nuk mbaruan këtu sepse “tortës” që ishte gatuar, ju vendos dhe qershia mbi të.
Pasi grupi mori tenderin, në mënyrë demonstrative u shtrua një darkë (me tava) festive, prezentë nuk ishin vetëm operativë dhe lejtnantë të grupit, aty në odë qëndronte dhe prokurori i rrethit Fier; edhe një titullar i gjykatës së Fierit, drejtorë e përfaqësues politikë, të cilët në fillim të darkës dëgjuan dollibashin që tha ca fjaë të shkurtra, me pakëz zhargon rruge:
“Paskemi qenë budallenj. Na është q*rë nëna kot duke rrezikuar me drogë nëpër Evropë në kërkim të parajsës. Parajsën e kemi këtu poshtë këmbëve tona dhe nuk e kemi ditur. Hajde gëzuar”.
– “Gëzuar, ta gëzosh“, – u përgjigjën dhe prokurori dhe gjykatësi dhe përfaqësuesit e politikës njëzëri.
15 vite më vonë pak gjëra kanë ndryshuar në klimën dhe mentalitetin e elitës së qytetit, ndaj dhe një hetim nga prokuroria e rrethit Fier për Bankers Petroleum, zor se vjen dot si iniciativë e një prokuroreje me vetëm 3 vite përvojë, apo me firmën e një gjykatëse rishtare. Logjika ta do se ajo dosje ka ustallarë nga pas, të fuqishëm madje, që tejkalojnë takatet e qytetit.
Hashtag.al ka ekzaminuar prej një jave dosjen dhe fashikujt, përfshirë dhe përgjimet e prokurorisë. Gjithçka ka nisur diku rreth muajit shkurt 2025 me shpejtësi, në mars janë autorizuar përgjimet, ishim në kulmin e fushatës elektorale. Ndërsa udhëheqësja politike e pushtetit, zonja Balluku, kishte nisur prej javësh të jetonte në Fier duke bërë listën e secilit biznes me shumë të punësuar dhe buxhete të rëndësishme në funksion të fushatës.
Indicion prokurorisë ja ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, një ish-prokuror që gjithashtu është promovuar nga zonja Balluku si kapo i tatimeve të vendit.
Nga krehja e dosjes vihen re këto detaje kryesore:
1. Leonidha Çobo, ish-drejtori I Bankers akuzohet se ka favorizuar me nënkontraktime të fryra kompaninë TEA&CO në pronësi të kunatës së tij. Ai shfaqet aktiv në Mars 2025 me shefin e Financës Ardit Kero në disa telefonata ku diskutohen çështje bankare. Bisedat sugjerojnë se të dy mund të jenë duke bërë biznes, indirekt. Por nuk shpjegohet kurrkund në dosje se si janë duke shkelur ligjin, të bësh biznes nuk është krim, por qëllim.
2. CEO kinez Xingyu Sun, konstatohet se ka faturuar kompani fiktive për të fryrë kostot dhe mashtruar.
3. Disa kompani avokatie ose studio konsulence të drejtuara nga Alket Hyseni, Eduart Halimi apo Besnik Çerekja janë konstatuar që kanë marrë shpërblime të mëdha dhe sipas prokurorisë kanë faturuar fiktivisht.
4. Përgjimet kanë interceptuar zyrën e financës dhe marketingut të Bankers, duke u përpjekur të negociojnë reklama dhe ndikim me TV Klan dhe Top Channel, askund nuk thuhet se çfarë shkelje përbën kjo, por bie në sy se Lori Hoxha e Top Channel përmendet me emër në dosje (e përflasin punonjëset e Bankers), ndërsa ngjan se prokurorit nuk i kujtohet emri i atij pronarit tjetër, atij të TV Klan. Futja e mediave TV Klan dhe Top Channel në dosje duket si mesazh i koduar që këto dy entitete t’i qëndrojnë larg asaj që po ndodh. Metodë klasike kompleksimi.
Dosja në tërësi nuk është se mban aromë jurisprudence, sepse terminologjinë dhe logjikën e dosjes e dominon aroma fiskale. Duket sikur përgjimet janë i vetmi hap që ka kryer prokurori, pjesa tjetër ka qenë e kopsitur nga tatimet. Për aq sa mund të quhet kopsitje.
Logjika fiskale e dosjes sugjeron se Leonidha Çobo në vitet paraardhëse, ka nënkontraktuar kompaninë TEA&CO për disa operacione hidrokarbure, e meqenëse kjo kompani drejtohej nga familjarët e tij, sipas fiskalistëve kjo përbën skemë mashtrimi dhe korrupsioni.
Mirëpo ka ca probleme ky pretendim.
–Leonidha Çobo është akuzuar vite më parë nga vetë kinezët për këto histori dhe e ka fituar çështjen në të gjitha gjykatat e vendit.
–Këto pretendime janë përdorur dhe nga shteti shqiptar në arbitrazh, por vendimi suprem i arbitrazhit ka zbuluar disa detaje interesante.
–Së pari arbitrazhi ka thënë se nënkontraktimet autorizohen me vendim bordi të kompanisë, e për sa kohë nuk vërtetohet abuzim me projektin, nuk ka konflikt interesi në parim dhe s’mund të ekzistojë konflikt interesi në palë private.
–Por gjetja më e rëndësishme e arbitrazhit është një nen i kontratës hidrokarbure që shteti ynë ka lidhur me Bankers, aty thuhet se Albpetroli ka një përfaqësues të përhershëm që skanon nënkontraktorët. Përfaqësuesi ka takatin dhe vendos veton nëse dëshiron për të bllokuar një nënkontraktor.
–Vendimi i arbitrazhit thotë e zezë mbi të bardhë se Albpetroli ka hequr dorë me vullnet të lirë nga kjo e drejtë vetoje, nuk e dërgonte asnjëherë kontrollorin e saj dhe kaq mjafton që kjo çështje të mos përbëjë më mosmarrëveshje për shqyrtim.
–Por siç e thamë pakëz më lartë, dosja hetimore ka logjikë fiskale, e cila synon sugjestionimin nga shifrat dhe tabelat excel, dosja nuk përmban fare asnje kontekst juridik të gjyqeve të shqyrtuara në gjykatat e vendit ose në arbitrazh në vitet e kaluara.
–Kulmi arrin kur merret në shqyrtim rroga zyrtare e Leonidha Çobos, e cila i duket fiskalistëve shumë e lartë dhe e pajustifikuar, por në asnjë moment ata nuk shpjegojnë nëse zoti Çobo si CEO i Bankers e kishte rrogën më të lartë apo më të ulët se CEO amerikan para tij?
–Dosja nuk sqaron dhe nuk argumenton fare se sa duhet të jetë rroga i CEO-s së një koorporate hidrokarbure dhe ku gjenden kornizat ligjore që kufizojnë tavanin e rrogës? Në cilën kontratë hidrokarbure janë vendosur këto tavane?
–Dosja nuk jep asnjë referencë për kontrata të ngjashme nga ndonjë CEO tjetër në Evropën Juglindore
–Dikush, me shumë gjasa inspektor tatimesh, ulet dhe shkruan në dosje se “nuk i pëlqen rroga e Lonit”. Ndoshta i ngjan si shumë e lartë krahasuar me të tijën. Goxha argument, të arrestohet menjëherë.
-Logjika fiskaliste e dosjes, vijon dhe me përmendjen e disa studiove juridike, si ajo e Alket Hysenit, Eduart Halimit apo Besnik Cerekjes, ku detajohen tabelat e pagesave disa miliona USD që ata kanë marrë në dekada, këto detaje po i hedhin si mish për top nëpër media, mediat e pushtetit theksojnë Halimin dhe Çerekjen, ata të opozitës masakrojnë Alket Hysenin.
–Mirëpo nëse sheh këto studio dhe kontratat e tyre, ato janë shërbime juridike ama dhe konsulence. Kujdes, konsulencë në kontratat ndërkombëtare do të thotë influencë, ndikim.
Në nocionin e një inspektori tatimesh konsulencat janë ca raporte shifrash excel ose raportime periodike. Logjika fiskaliste i koncepton shërbimet juridike dhe ato të konsulencës me nocionin e një auditiuesi financiar, një auditues financiar i një koorporate patjetër që do punojë me raportime periodike dhe excel, por aleancat strategjike juridike dhe konsulenca e një koorporate janë komplet diçka tjetër.
Janë lobim dhe akses.
Këto të dyja nuk i mat dot një fiskalist, madje as një prokuror rrethi, e as i SPAK-ut.
Po e shpjegoj me shembuj që ta bëj më elementare.
Sa dollarë kushton prestigji i një avokati që konsiderohet i besueshëm dhe profesionist nga Shefi i Kabinetit të Gjykatës së Arbitrazhit?
Sa dollarë kushton autoriteti dhe prestigji i një studioje ligjore që arrin të përçojë me korridor ekskluziv privat të garantuar argumentet e veta në rangjet e Gjykatës Kushtetuese apo asaj të Lartë?
Ose një shembull më konkret: Sa kushton kontakti personal i Avokatit Dorian Matlija në Strasburg, i cili bëri që Strasburgu të ndalte në kohë rekord procedimin ndaj medias Lapsi.al? 1 Euro?Apo 1 milionë Euro?
Si ndodh që për prestigjin dhe autoritetin e një juristi arsyetoka një fiskalist apo inspektor i thjeshtë tatimesh? Ku e dinë ata tregun? Këto janë territore thelbësisht të stekës diskrete individuale, jo statistika exceli.
Kjo sa i takon lobimit juridik, por edhe më e ndërlikuar është influenca në tregje. Ose aksesi.
Supozojmë dikë, një konsulent shqiptar që niset për në Zug të Zvicrës. Atë e pret në shtëpi, ose në kështjellë, miku i vet personal, pinjoll dinastie financiare botërore bashkë me dy të besuarit e tij.
Konsulenti shqiptar i kërkon akses pinjollit financiar, për të futur një biznesmen shqiptar në tregjet e ndërtimit në Gjermani dhe Spanjë, si dhe në tregun energjitik të Afrikës së Jugut dhe ta lidhë partnerin shqiptar me “project-managers” që ai i kontrollon.
I kërkon gjithashtu që studio prestigjoze fiduçiare që mbajnë letrat e perandorisë së pinjollit, të pranojnë si klient dhe këtë biznesmenin shqiptar.
Kam një pyetje në këtë pikë: Sa dollarë kushton aksesi në këto nivele?
Sa bileta e avionit për në Zvicër me dietat e ushqimit dhe fjetjes? Seriozisht?
Si mundet një inspektor tatimesh në Tiranë, apo një prokuror, të përcaktojë vlerën e aksesit për nivele tregjesh që inspektori as e di fare që ekzistojnë, ndërsa prokurori as ka kohë të lexojë për këto tregje se i ka dosjet kapicë?
Nuk ka asnjë mënyrë që një fiskalist tatimesh apo një prokuror të vlerësojë kallëpin financiar të lobimit apo aksesit të një entiteti. Sepse konsulenti që shkoi në Zvicër dhe hapi tregje ja vendos vet vlerën vetes, ai mund t’i thotë biznesmenit shqiptar që do më futësh aksioner me 50% për çdo dollar që do fitosh nga kjo linjë ku ti nuk hyn dot pa mua. Por mund t’i thotë dhe 20% ose 7%, ose i kërkon një pagesë të majme mujore.
Si e ditka një inspektor tatimesh stekën e konsulentit dhe vlerën e tij në treg? Po prokurori si mund ta dijë këtë?
Me çfarë exceli dhe me çfarë raportimesh periodike matet një vizitë në shtëpinë e një pinjolli të një dinastie financiare, i cili fjala vjen, nuk pret as Edi Ramën në shtëpi, maksimumi në zyrë e pret?
Të gjitha sa kam shkruar më sipër janë shembuj klasikë dhe parime klasike në logjikën e tregut perëndimor, por në Shqipëri duken si muzikë e huaj, sepse me sa duket Shqipëria ka luksin që dhe një kontratë hidrokarbure strategjike, ta trajtojë me mendësinë e një fiskalisti tatimesh që në muajin shkurt heton Bankersin, pastaj në korrik merret me bidonat e qumështit pa faturë.
Kapitulli 2. – Kush është Loni në të vërtetë
Diku nga viti 2014, Damian Gjiknuri thërriti dy tre njerëz të tij të besuar, të cilët i konsideronte të duhurit për një mision që ishte autorizuar nga kryeministri Rama.
“Duam të dimë sa shmang Bankersi realisht, kryeministri do shifrën reale, që ta dimë ku jemi”, – u tha Gjiknuri të vetëve.
Specialistët ju futën punës dhe pas disa javësh hartuan një raport konfidencial jo-formal, për Gjiknurin dhe Edi Ramën. Shmangia nga Bankers ishte 54 milionë euro në vit, e rrumbullakosur 50 milionë, dhe e llogaritur nga viti 2010. Në vitet e mëparshme prodhimi i Bankers ishte më i diskutueshëm për shkak të planeve të zhvillimit.
Për këtë raport merr dijeni dhe Leonidha Çobo, i cili i dërgoi haber Gjiknurit:
“2010-2014 janë 5 vite fiskale. Jam dakord që tani të bëjmë kontratën dhe të paguaj menjëherë 250 milionë euro”, – ishte haberi i Lonit për Gjiknurin.
Ky i fundit u entuziazmua dhe shkoi me një lloj krenarie të kryeministri Rama për t’i dhënë haberin, mirëpo kryeministri pasi e dëgjoi dhe i nguli sytë i thotë në mënyrë të prerë Gjiknurit:
“JO”.
Askush nuk mund të spekulojë për motivet e kësaj përgjigje të prerë të kryeministrit, por ama evidencat sugjerojnë se disa gjëra të rëndësishme ndodhën më pas.
Një paketë e-mail-esh konfidenciale që Hashtag.al e posedon prej një dekade, sugjeron se kryeministri Edi Rama mund ta ketë kuptuar konfliktin me Bankersin në ato kohë si oportunitet për të bërë ca qoka të vetat jashtë dhe brenda vendit.
Fjala vjen, ky e-mail-i këtu:
Dy drejtues të rëndësishëm të sektorit hidrokarbur po e shndërrojnë institucionin shtetëror në një departament të kompanisë private OMNIA, pasi janë njoftuar paraprakisht se kësaj kompanie do i jepet e drejta për të përfaqësuar Shqipërinë në arbitrazh, përballë Bankers Petroleum.
Po kush është OMNIA? Është kompania në pronësi të madame Cherrie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, mik personal i kryeministrit Rama.
Ky e-mail është thjesht një tangente e mënyrës se si u bënë qoka ndërkombëtare pasi u refuzua oferta e Leonidha Çobos për të derdhur 250 milionë dollar në buxhet. Por loja vijonte dhe brenda vendit ama.
Fiks në këtë periudhë disa familjarë të drejtuesëve të kupolës socialiste, nisën të merrnin toka shtetërore me qira në Fier.
Ashtu si padashje disa javë më pas këto toka përfshiheshin në planet e zhvillimit të mëtejshëm të Bankers, fjala vjen, e merrnin tokën në shtet me qira 7 mijë euro në vit dhe ja jepnin Bankersit me qira 200 mijë euro në vit.
Leonidha Çobo, ky “mafioz” (i ashtuquajtur) u bë gati të paguante 250 milionë euro në buxhet, mirëpo udhëheqja e ndritur, nuk dukej se e kishte mendjen te buxheti, skema ishte mundësi që të bëheshin ca qoka te OMNIA e mikut të kryeministrit, por nga ana tjetër dhe çunat e partisë së përdritur socialiste kapnin ndonjë gjë të shpejtë.
Nuk ka problem pse qeveria Berisha-Meta e vitit 2010 vendos të fusë logjikën e tregut të heroinës në sektorin strategjik hidrokarbur duke përfshirë huliganë në lojë.
Por nuk ka problem as pse Edi Rama dhe kupola e PS-së po çojnë ca lekë te miku ynë “Tony” në Londër, apo po kapin ndonjë gjë me ato tokat.
Fajin e ka Loni, që u bë gati të dizbursonte 250 milionë euro në buxhet.
Çfarë i duhen drejtorit të Tatimeve këto detaje? Po prokurorit çfarë i duhen këto detaje? Ç’punë kanë ata të shkretët me Tony Blerin dhe me tokat e partisë?
Ata e kanë shumë të thjeshtë, arrestojnë Leonidha Çobon, mjafton pak logjikë fiskaliste dhe sugjestion me rrogën e Lonit apo me kompaninë e kunatës së tij.
E megjithatë shifrat sugjerojnë një gropë edhe më të thellë të kësaj qeverie sa i takon raportit me Bankers dhe sektorin hidrokarbur në tërësi.
Deri në vitin 2024 Bankers Petroleum kishte bërë një fitim total afro 5.5 miliardë dollarë, ndërsa deri në të njëjtin vit rezulton se ka paguar rentë diku të 550 milionë dollarë. Nëse kësaj shifre i shtohet dhe prodhimi paraekzistues që i është dhënë dhe Albpetrolit, shifra shkon 700 milionë dollarë. Nëse në hesap futen dhe sigurimet shoqërore me gjithë kostot që Bankersit nuk i janë njohur në arbitrazh, shifra që Bankers ka dhënë në buxhet deri më sot është diku te 1 miliardë dollarë. Pra 20 % të fitimit Bankers me letra e ka paguar. Në një mënyrë ose në një tjetër. Këtu nuk është llogaritur fare vlera e TVSH-së indirekte që nënkontraktorët e Bankers kanë paguar në buxhet kokërr më kokërr. Po ta përfshijmë shifra shkon diku të 25-30% taksa të paguara.
Por supozojmë për lehtësi arsyetimi se Leonidha Çobo është një vampir, një mafioz, një maskara.
Lind pyetja: Po ata që votohen, si rezultojnë në këtë histori?
Marrim Albpetrolin përshembull, i cili merr një sasi nafte nga prodhimi paraekzistues në puset e Bankersit.
Prej vitit 2010, Albpetroli i shet këto sasi në ankand me çmim gati 30% e ndonjëherë dhe 50% më të ulët se sa çmimi që mund t’ja shiste direkt Bankersit.
Dikur këto sasi në qeverinë Berisha-Meta, arriti që ju dhanë dhe eksponentëve të nëntokës, mirëpo qeveria e re socialiste punon në mënyrë të sofistikuar me sa duket, pa zhurmë fare, me rendiment mizerabël për buxhetin por me gjasë shumë lukrativ për shefat në Albpetrol dhe ministri.
Albpetroli e ka të drejtë të garantuar në kontratë që këtë sasi t’ja shesë që në vendburim Bankersit me çmim shumë më të leverdisshëm se sa çmimi i trukuar në ankande fiktive.
Pse nuk e bëjnë? Po inspektorët e tatimeve dhe prokurori, ç’ne nuk janë bërë kuriozë për këto tabela elementare?
Janë të thjeshta fare, shiko sa e shiti në ankand dhe sa mund t’ja shiste Bankersit në vendburim të njëjtën sasi dhe bëj diferencën sa janë zhvatur dhe humbur. Disa dhjetëra miliona dollarë abuzim.
Por le të përdorim një logjikë pak më gjithëpërfshirëse në vijim.
Ky Leonidha Çobo, ky “vampiri”, përtej të gjitha kompromentimeve të tij, ky për qytetin e Fierit ka lënë një strukturë, një gjurmë, një trashëgimi.
Dy nga kompanitë me prestigjoze të Fierit sot, “AlbStar” dhe “Bolv-Oil”, janë krijesa të nënkontraktimeve të Bankersit. Këto kompani kanë diversifikuar më tej portofolet dhe kanë bërë dhe investime shumë prestigjoze në të gjithë Shqipërinë.
Të paktën “ky vampiri” e ka lënë një gjurmë në treg. Po zonja Balluku fjala vjen, që ka emëruar mikun personal të familjes, zotin Eltar Deda, si shef të Albpetrolit, çfarë rekordesh ka 8 vitet e fundit?
E keni parë ndonjë herë zonjën Balluku apo vartësin e saj Eltar Deda në ndonjë konferencë për shtyp, ku shpalosin shifrat për efiçencën e menaxhimit të Albpetrolit, investimet e reja; (apo duke u bërë dhe pak ëndërrimtarë) fjala vjen të flasin për nevojën e ri-ngritjes së një instituti nafte të vockël por modern, në bashkëpunim me palën Emiratase, të cilën zonja Balluku e ka dhe si biçim aksesi personal?
Nuk ka ndodhur asnjë sekondë diçka e tillë.
Thjesht zonja Balluku ka emëruar mikun e familjes në krye të Albpetrol dhe miku nga Vlora (Eltar Deda) as ja ka haberin asaj pune dhe s’ka prodhuar asnjë moment fitim dhe efiçencë.
Ose zonja Balluku mund të ketë ndihmuar shefin e ri të Tatimeve që të marrë postin, ndërsa ky pastaj i përvishet Leonidha Çobos me fushata pseudo-fiskale dhe e rras në burg pa marrë fare parasysh kontekstin juridik të kalibrit të arbitrazhit.
Mirëpo në këtë pikë mund të bëjmë dhe një pyetje:
Nga ndryshon favorizimi që Leonidha Çobo mund t’i ketë bërë kunatës së vet, me favorizimin që ministrja Balluku i ka bërë vartësit të vet, drejtorit të Albpetrolit?
Nga pikëpamja morale nga ndryshojnë këto, përveç faktit që Çobo është privat ndërsa Balluku ka ca përgjegjësi shtesë?
Nga pikëpamja financiare, kush ka qenë më efiçent për buxhetin, “Loni apo Eltari”?
Dy ditët e fundit disa media pranë rilindjes po ulërasin pse këtë dosje nuk e merr SPAK-u në dorëzim. Këto ulërima në fakt janë i njëjti autogol që këto media filo-rilindëse bënin dhe më parë. Përshembull, duartrokisnin SPAK-un kur arrestonte Thoma Gëllcin, apo Ilir Metën, por pastaj një ditë të bukur nisën të ulërinin akoma më fuqishëm por kësaj here si anti-spakistë, sepse u arrestua Erion Veliaj.
Ky naivitet, është identik dhe në rastin e Leonidha Çobos, sepse gjasat janë që një hetim profesional i çështjes do cojë para përgjegjësisë jo Leonidhën apo kinezët, por figurat e dashura të rilindjes për këto media.
Janë në të njëjtin kurth psiqik dhe moral sic ndodhi kur ranë në eufori me arrestimin e Metës dhe në dëshpërim me arrestimin e Veliajt.
Për më tepër, SPAK ka treguar se djeg figurat me peshë politike, jo sepse bën dot ndonjë analizë dhe hetim profesional të kalibrit të kontratave ndërkombëtare. Nuk ka ende asnjë çështje të SPAK që ka hetuar me sukses dhe prestigj profesional implikimet e politikanëve të lartë në kontrata ndërkombëtare.
Ata politikanë të lartë që janë arrestuar janë djegur për bileta avioni ose fatura blerje rreckash në internet. Pra është bërë kozmetikë penale, jo hetim kalibri ndërkombëtar.
Fakti që nisi në Fier kjo çështje, e qetëson dhe rilindjen por edhe SPAK-un, sepse të dyja shmangin presionin dhe përgjegjësinë nga vetja dhe kjo punë mbyllet me ca koka turku si puna e “super mafiozit Loni”.
Por nëse deri më tani bëhet e qartë se është konjuktura pranë Belinda Ballukut që ka dhënë këtë goditje, mbeten të paqarta motivet dhe ndoshta arsyeja se pse kryeministri Rama e lejoi të ndodhte. Sidomos nëse vë në kandar dhe faktin se Leonidha Çobo është kokë e këmbë interes i lidhur me koorporatën “Kastrati”, të cilën kryeministri Rama e ka konsideruar në përfshirje intensive strategjike këto 12 vite.
Nëse shqyrtimi i deritanishëm na jep të kuptojmë se:
–Dosja është injorancë fiskale dhe jo hetim gjyqësor, aq më pak hetim kalibri ndërkombëtar
–Struktura pranë Ballukut ka kurdisur aksionin
–Edi Rama ka një motiv që ka dhënë dritë jeshile, por motivi nuk po zbulohet ende
Përveç të kuptuarit e ekuilibrave të sjelljes së Ramës me koorporatën Kastrati, mbetet e panjohur dhe shkalla e rrezikut që Rama-Balluku i kanë hapur vetes me faktorin kinez.
E kanë provuar njëherë një skemë të ngjashme parazgjedhore me arrestimin e Fredi Belerit, por sot Beleri është eurodeputet, ndërsa të besuarit e Ballukut, Oltion Bistri (ish shef Operacionaleje), prokurori i çështjes, Aurel Zarka, të dy miqësi e Ballukut, u arrestuan pakopostal me dosje të gatshme, të dedikuara, që mbërritën nga Belgjika.
Duket si i njëjti ekip dhe e njëjta skemë mendjelehtë që ndoshta mendon se dhe shtete si Greqia (e lëre më pastaj Kina) funksionojnë me mentalitetin e tipit “i japim ca kontrata Tonyt, ca toka këtyre tanëve, Lonin e rrasim burg”. Siç rrasën në burg Fredi Belerin.
Historia e afërt ka treguar se aksionet me arrestime Balluku-Rama zakonisht sakrifikojnë të besuarit e vet, prokurorë apo tatimorë qofshin, nëse preken tela të lidhur me shtete të huaja. Në këtë rast shteti i huaj nuk është dosido, por superfuqi si Kina; dhe ndoshta është shumë herët për të parë efektet e vërteta të këtyre arrestimeve. Jemi si me Belerin, në fazën e euforisë, nuk i dihet si merr rrugës kjo histori interesante./Hashtag.al