Edi Rama: Reformat po na çojnë në BE, ja si do bëhen ndërtimet tani e mbrapa

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka ardhur koha që t’i jepet fund “epokës së ndërtimeve pa leje”.

“Unë dhe ne jemi për të menduar këtu për 99% të shqiptarëve që nuk ndërtojnë pa leje dhe që kërkojnë fundin e fenomenit për ata që ndërtojnë pa leje”, tha kryeministri, shkruan A2.

Më tej, kreu i qeverisë theksoi se transformimi i administratës publike është një nga pikat kryesore të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Dhe reformat e deritanishme nga qeveria e PS, sipas Ramës, e kanë çuar vendin aktualisht te këto negociata, shumë pranë BE-së. Komentet tipike të hedhjes së pallavrave, sepse nëse ka një gjë që ne kemi bërë, është se kemi shmangur pikërisht shmangien e një ushtrie socialiste të shtetit. Natyrshëm me të gjitha të metat e veta, boshllëqet e veta, nuk do ishim sot në kushtet e negocimit me BE, ku një nga pikat është transformimi i administratës publike. Akoma sot në vitin 2025, ku ndërtohet pa leje”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, thotë se duhet krijuar një “vijë e padukshme” që 70% e hapësirave të jenë për qytetarët dhe 30% për bizneset.

“Do të arrijmë të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë, ku 70% e trotuarit të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% për karriget e shërbimin jashtë. Si të gjitha vendet mesdhetare është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë. Por, nga ana tjetër, ajo që është e shëmtuar është që këto shërbime të kthehen në zaptime, presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën e vet normale të jetës”, tha Rama, shkruan A2.

Pyetjes së një përdoruesi se “kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim”, kryeministri iu përgjigj: “Nuk është qeveria ajo që merret me karriget dhe tavolinat. Jemi në kushtet e një mobilizimi për t’u dhënë një përgjigje shterruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në qytete të mëdha, të vënë re gjatë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, çadrave dhe barrikadave. Nga ana tjetër, u morën taksat për to. Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë”, u shpreh Rama.

(A2 Televizion)