Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” u pa fillimisht si një risi në skenën politike shqiptare, por përplasja mes dy figurave kryesore të tij – Endrit Shabanit dhe Adriatik Lapajt – e ka vënë në qendër të vëmendjes për arsye të shëmtuara. Në debatin që ka shpërthyer për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni, të dy palët mbajnë një pjesë të përgjegjësisë, por ndarja e fajit nuk është e barabartë. Ky episod nxjerr në pah sfidat e bashkëpunimeve politike kur mungon qartësia në rolet dhe kontributet e secilës palë.
Endrit Shabani, përfaqësues i “Nismës Thurje”, duhet ta pranojë realitetin: partia e tij ka qenë një shtojcë formale në këtë koalicion. Pavarësisht pretendimeve, ajo nuk pati një prani të ndjeshme në terren pas vitit 2021. Mungesa e aktiviteteve politike, e anëtarësisë aktive dhe e strukturave vendore tregon qartë se “Nisma Thurje” ishte një parti në zbehje. Kjo parti përfitoi nga dinamika dhe energjia e Lapajt dhe “Shqipëria Bëhet”, e cila fitoi një numër befasues votash në 8 nga 12 qarqet e vendit dhe mbajti takime edhe jashtë Shqipërisë. Pa këtë frymë që ndezi Lapaj, “Nisma Thurje” nuk do të kishte qenë fare pjesë e lojës politike.
Nga ana tjetër, Lapaj e ka të drejtën të marrë mandatin, përkundër zotimit të tij të mëparshëm për ta refuzuar në rast se koalicioni do të merrte vetëm një. Mandati nuk është një dhuratë personale që ai mund t’ia japë një partie tjetër. Mandati është përgjegjësi përballë mijëra votuesve. Shabani gabon kur e kërkon këtë mandat si “kompensim”, sepse nuk është ai që e solli rezultatin. Një parti pa strukturë, pa bazë dhe pa angazhim nuk ka pretendim moral mbi një mandat që u fitua me punën e një tjetri. Nuk është se ky koalicion mori vetëm disa mijë vota në Tiranë. Po flasim për 64 mijë votues shqiptarë. Nuk është thjesht numër, por frymë. Lapaj është njeriu që duhet të vijojë rrugën për të përfaqësuar 64 mijë njerëz. Janë njerëz që, në një sistem më normal, do të përktheheshin në 6 mandate. Në një kohë kur Shabani me partinë e tij ishin në rrezik zhdukjeje, Lapaj ringjalli shpresë popullore dhe pati sukses.
Megjithatë, Lapaj ka bërë gabimet e veta. Ai kishte kohë për të ulur tensionet dhe për të negociuar me Shabanin për një zgjidhje që do të ruante kohezionin e koalicionit. Politika është edhe aftësi për të menaxhuar konfliktet, jo vetëm për të grumbulluar vota. Ngurtësia për të dialoguar dhe për të ofruar alternativa zgjidhjeje e dobëson profilin e tij si një lider gjithëpërfshirës.
Së fundmi, Lapaj tregoi mungesë pjekurie politike me reagimin e tij emocional në rrjetet sociale. Një postim i nxituar ndaj Shabanit dhe dajës së tij nuk e ndihmon një figurë publike që pretendon të ndërtojë një alternativë të re politike. Konflikti i brendshëm për mandatin nuk do të ishte dramatizuar kaq shumë nëse do të ishte menaxhuar me qetësi, maturi dhe respekt. Ky është një mësim për të dy. Për një politikë ndryshe, duhen edhe sjellje ndryshe.
Endrit Shabani tashmë nuk ka të ardhme në politikë. Jo se ishte protagonist apo me pëlqyeshmëri publike, por nuk ka më asnjë shans të mbijetojë. Ai e vrau veten me dorën e tij. Ndërkohë, Adriatik Lapaj ka ende kohë për të rikuperuar dëmtimin e imazhit. Ndoshta nuk i rifiton më ato 64 mijë vota, por është në lojë. Madje, ende protagonist. Populli mund ta falë një politikan të ri që nxitohet dhe tregon papjekuri, por nuk e fal një person që pret në besë aleatin dhe shokun.