Një ngjarje makabër u regjistrua një ditë më parë në fshatin Frashër të Fierit, ku 26-vjeçarja Ermalinda Rama mbyti me tel të atin.
Më pas në bashkëpunim e të ëmën, ato lanë trupin e viktimës, 56-vjeçarit Anesti Rama dhe tentuan që të fshihnin ngjarjen duke e “shitur” si aksidentale.
Ndonëse nëna e së resë është përpjekur që të “lajë duart”, Policia e Fierit mësohet se së fundmi ia ka “hedhur” edhe asaj prangat.
53-vjeçarja, Valbona Rama fillimisht u shoqërua në Polici me qëllim për të saktësuar rolin e saj në këtë ngjarje e cila ka tronditur vendin tonë, ndërkohë që pas hetimeve dhe dëshmive të marra blutë e kanë arrestuar së fundmi.
“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, njofton Policia.
Burime për mediat bëjnë me dije se nënë e bijë e dhunonin 56-vjeçarin prej vitesh dhe se e linin të mbyllur në një dhomë jashtë banesës.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua dy ditë më parë ku mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 23:00 e reja së bashku me të ëmën shkuan të alarmuara në polici dhe kallëzuan vdekjen e Anesti Ramës si vdekje aksidentale.
Por, versioni nuk ishte plotësisht bindës, duke ngritur dyshimet te efektivët e policisë të cilët filluan menjëherë hetimet ku dhe zbuluan se 56-vjeçari ishte mbytur me tel nga vajza e tij, e cila më pas në bashkëpunim me të ëmën tentuan që të fshehin ngjarjen.
Krimin e bën edhe më tronditës deklarata e vajzës e cila në dëshminë e saj në polici pranoi vrasjen e të atit pasi ky i fundit e trajtonte keq, ishte fanatik dhe nuk e lejonte të bënte jetën që ajo dëshironte.
Por, sikur të mos mjaftonte me kaq, nga raporti mjeko-ligjor u mësua se 56-vjeçari përpos shenjës së litarit në fyt ishte i masakruar edhe në pjesët intime. Deri më tani bazuar në informacionet e siguruara nga grupi hetimor dhe në dëshmitë e komshinjve të familjes Rama asnjë prej tre anëtarëve nuk kishte probleme të shëndetit mendor, por pritet një njoftim zyrtar në vijim lidhur me këtë çështje.