Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjete sociale ka paralajmëruar se ditën e nesërme, datë 26 Korrik 2025, pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.
Pirro Vengu bën thirrje për të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë për bashkëpunim si dhe apelon qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë për çdo rast tek autoritetet.
Ministri Vengu ka publikuar në rrjetin social Facebook edhe një video ku duken hartat treguese sipas nivelit të rrezikut për zjarre në çdo qark.
Prej disa ditësh në vendin tonë vatra të shumta zjarri janë përhapur për shkak të temperaturave të larta ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet e qëllimshme.
Zjarrfikësit dhe banorët e qarqeve të prekura nga zjarri, çdo ditë luftojnë me flakët të cilat rrezikojnë banesat e tyre. Situata paraqitet mjaft problematike në jug të vendit.
Postimi i plotë i Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu
Ministria e Mbrojtjes njofton se, sipas të dhënave të raportuara në Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile IGJEUM dhe Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), në datën 26 Korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.
Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te autoritetet.
Bashkëlidhur hartat referuese sipas nivelit të rrezikut për çdo qark.