Zbardhen detaje të reja për vrasjen makabër ndodhur në Frashër të Fierit, ku vajza 26-vjeçare ka mbytur me tel babanë e saj, Anesti Rama.
Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat ka mësuar të gjithë dinamikën e vrasjes ndodhur në banesën e viktimës.
Në momentin e krimit kanë qenë prezentë vajza, mama e saj (bashkëshortja e viktimës), si dhe Çlirim Dogani.
Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur babanë e saj në organet gjenitale, dhe pasi ai ka rënë në tokë, Dogani e ka mbajtur nga duart teksa ajo e mbyste me tel. Po ashtu dyshohet se ata kanë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse.
Ndërkohë nëna e 26-vjeçares ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës.
Krimi është zbuluar nga përgjimi i telefonit, ku 26-vjeçarja pas ngjarjes ka komunikuar me bashkëpunëtorin e saj, Dogani, që dyshohet se kishte lidhje intime me të. Ky i fundit ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Ky është 55-vjeçari Çlirim Dogani, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i Ermalinda Ramës në vrasjen e babait të saj, Anesti Rama, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 23 Korrikut në banesën e viktimës në fshatin Frashër të Fierit.
55-vjeçari u vendos në pranga ditën e sotme (26 Korrik) dhe në dëshminë e dhënë për policinë pas arrestimit ka mohuar të gjitha akuzat.
Ai ka pretenduar se ndodhej në fshatin e tij Arapaj, shumë larg vendit të ngjarjes kur ndodhi krimi.
Çlirim Dogani mësohet se ishte i martuar dhe me fëmijë në moshë madhore. Ndërsa sipas burimeve, 26-vjeçarja ka qenë e fejuar 3 herë, por është ndarë.
Dyshimet janë se ajo i mori jetën të atit, 56-vjeçarit Anesti Rama, pasi e shihte si pengesë për lidhjen e re që kishte me 55-vjeçarin.
Burime bëjnë me dije se Ermalinda shkonte herë pas here në fshatin Suk të Roskovecit, ku motra e saj është e martuar dhe jeton prej vitesh.
Në këtë zonë, konkretisht në Suk 1, Suk 2 dhe Arapaj (ku banonte edhe Çlirim Dogani), Ermalinda mësohet se punonte në serat e fermerëve vendas.
Pikërisht aty është njohur me 55-vjeçarin, me të cilin dyshohet se më pas ka nisur edhe një lidhje dashurie.
VRASJA
Çlirim Dogani, nga fshati Arapaj i Roskovecit, u vendos në pranga ditën e sotme (26 Korrik) dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me 26-vjeçaren, me të cilën kishte krijuar një lidhje dashurie, duke mbytur me tel Anesti Ramën.
Gjithashtu, sqaron policia, në krimin shokues janë përdorur edhe sende të forta dhe mjete prerëse.
“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse”, informuan blutë.
Ndërkohë një ditë më parë (25 Korrik), në pranga është vendosur edhe bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama pasi akuzohet se ndihmoi të bijën të pastronte trupin e viktimës për të fshirë gjurmët e vrasjes.
“Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”,”- informoi policia.
Vajza ka dëshmuar se i ati i saj ishte rrëzuar në banjë dhe se kishte ndërruar jetë, por kanë qenë mjekët që hodhën poshtë versionin e saj, në kontrollin e paraprak që i kanë bërë trupit të viktimës.