Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka surprizuar ndjekësit e saj duke ndarë një nga momentet më intime dhe të rralla me partnerin e saj, regjisori Eduart Grishaj. E njohur për mënyrën e kujdesshme se si menaxhon jetën private, Osmani ka thyer “rregullin” e heshtjes duke publikuar një foto në InstaStory ku çifti shfaqet duke shkëmbyer një puthje në plazh.
Në imazhin e postuar, Arbana dhe Eduarti duken të relaksuar teksa qëndrojnë në shezllone buzë detit, duke shijuar një moment qetësie dhe afërsie larg kamerave dhe angazhimeve televizive. Fotoja është shoqëruar me një mbishkrim të thjeshtë por të ëmbël: “OK boll tani, hajde ikim te pishina :)”, një koment që shton një dozë humori dhe natyrshmërie në atmosferën romantike.
Ky postim i pazakontë nga moderatorja ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve dhe mediave rozë, pasi përfaqëson një ndër rastet e rralla ku Arbana Osmani zgjedh të ndajë publikisht momente të këtij karakteri me partnerin e saj. Megjithëse e ka ndarë jetën me Eduart Grishajn prej vitesh dhe janë prindër të një djali të përbashkët, çifti ka preferuar të mbajë një profil të ulët përsa i përket jetës personale, duke ruajtur diskrecionin edhe përballë vëmendjes së madhe mediatike.
Ky gjest, megjithatë, duket si një moment i sinqertë i dashurisë dhe relaksit në çift, që vjen në një periudhë kur Arbana po shijon një pushim të merituar pas angazhimeve intensive në ekran. Komentet dhe reagimet nga ndjekësit kanë qenë të shumta, me shumë prej tyre që e kanë përshëndetur këtë shprehje dashurie të çiltër dhe kanë shprehur admirimin për çiftin.