Një djalë 18-vjeçar, nxënës ekselent dhe shembullor, dhunohet publikisht në vendin e punës për një shishe ujë – drama e një të riu shqiptar që punon me ndershmëri për të përballuar shpenzimet e maturës
Ngjarja tronditëse ndodhi në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë, ku një kamerier 18-vjeçar, nxënës i shkëlqyer në klasën e 11-të dhe me sjellje të admirueshme, u dhunua brutalisht nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një shtetas tjetër me precedentë penalë. Shkak për dhunën u bë një incident banal: një shishe ujë më tepër e servirur në tavolinë. Djali, i cili punon gjatë verës për të mbledhur të ardhurat e nevojshme për përballimin e maturës, u përball me arrogancën dhe brutalitetin e përfaqësuesve të rendit dhe shoqërisë.
Nxënësi, për të cilin kujdestarja e klasës shprehet me krenari se është një nga më të mirët – me nota maksimale, edukatë shembullore dhe pjekuri për t’u admiruar – përfundoi viktimë e një akti dhune që e poshtëron jo vetëm si individ, por edhe si simbol i rinisë shqiptare që përpiqet me ndershmëri të ndërtojë të ardhmen. “Ai është një djalë i mrekullueshëm. Po punon për të përballuar shpenzimet e maturës. Dhe u dhunua nga një ish-polic që i mungon çdo vlerë njerëzore,” – shkruan mes të tjerash mësuesja e tij.
Pamjet filmike dhe dëshmitë e qytetarëve tregojnë për një akt të dhunshëm, të ndodhur para klientëve dhe turistëve, ku i riu është goditur në fytyrë dhe qafë. Reagimi i pronarit të lokalit, Vasil Bedinaj – i njohur për përfshirje në incidente të tjera të mëparshme – solli përshkallëzimin e situatës dhe përfundimin e ish-shefit të qarkullimit të Vlorës, Ardian Isufi, në spital. Ky i fundit u pezullua menjëherë nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërkohë që ndaj tij është nisur procedura disiplinore dhe penale.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta edhe nga Kryeministri Rama, i cili deklaroi se Isufi duhet të përjashtohet pa kthim nga radhët e Policisë së Shtetit dhe të dalë përpara drejtësisë. Në deklaratën e tij, kreu i qeverisë paralajmëroi rritje të përgjegjësisë ligjore për të gjithë punonjësit e shtetit që shkelin ligjin, brenda apo jashtë orarit të punës.
Por përtej deklaratave zyrtare, kjo është një pasqyrë e trishtë e realitetit me të cilin përballen të rinjtë shqiptarë: kur përpiqen të jenë të mirë, të drejtë, të edukuar dhe të punojnë me ndershmëri, shpërblimi nuk është mbështetja e shoqërisë, por dhuna, frika dhe poshtërimi. Në një vend normal, një djalë i tillë do të duhej të ishte shembull. Në Shqipëri, ai bëhet viktimë.
Ky incident nuk është thjesht një rast i izoluar, por një simptomë e thellë e krizës morale dhe sociale që po i largon të rinjtë nga vendi. Në vend që të frymëzojmë brezin e ri për të ndërtuar me dinjitet dhe përkushtim të ardhmen e tyre, u tregojmë se këtu e mira nuk mbrohet, por sulmohet.
Ky është realiteti që duhet ndryshuar me urgjencë. Për të rinjtë si ai kamerieri 18-vjeçar – që pavarësisht vështirësive nuk dorëzohen, që studiojnë me përkushtim dhe punojnë me dinjitet – Shqipëria duhet të jetë shtëpi, jo vend i dhunës dhe padrejtësisë.