Gazetari Enrik Mehmeti, i cili mbi shpatulla ka një karrierë të gjatë në median shqiptare ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Vlorës ku ishte i pari i cili denoncoi dhunimin e 18-vjeçarit Aron Balaj, nga ana e ish-shefit të Rrugores, Adrian Isufi dhe mikut të tij Leart Bimo si dhe për procedimin penal që Policia ka nisur ndaj tij.
Teksa shfaqet krah kamarierit, Mehmeti ka sqaruar këtë ngjarje duke theksuar fillimisht se përgjatë gjithë karrierës së tij ka punuar me profesionalizëm dhe nuk ka pranuar asnjëherë që të dorëzohet përballët presioneve, qofshin nga të “fortët” apo zyrtarët e institucioneve.
Ai ka treguar se momentin që u vu në dijeni lidhur me atë çfarë kishte ndodhur në hotelin “Regina Garden Group” u nis drejt vendit të ngjarjes me qëllim për të siguruar pamjet filmike si dhe për t’i marrë një intervistë kamarierit të dhunuar.
Gjatë kësaj kohe, vuri re mungesën totale të forcave të Policisë në vendngjarje, edhe pse kishte ndodhur një akt dhune dhe më pas një tjetër përplasje ku të plagosur mbetën Isufi dhe Bimo.
Në këtë moment, sipas gazetarit i vetmi që u paraqit ishte zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv tjetër. Gjatë komunikimit me të, Kondi mësohet t’i ketë kërkuar që të mos publikojë pamjet komprometuese të cilat “nxirrnin zbuluar” kolegun e tij, Adrian Isufin.
Kjo kërkesë nuk u pranua nga gazetari dhe pas këtij refuzimi ai u thërrit në Komisariat ku dhe u pyet si person i përfshirë në këtë ngjarje.
“Kur po kërkoja të intervistoja dhe drejtuesin e biznesit, u shfaq vetëm nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv tjetër të grupeve të gatshme. E theksoj: ASNJË efektiv policie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale për çdo fjalë që po deklaroj. Pas një ore, më kërkuan të paraqitem në komisariat. Ndër të tjera, po i drejtoj një pyetje të thjeshtë zëvendësdrejtorit të policisë që ndodhej në vendngjarje: “Ai më kërkuat të mos publikoj pamjet ku kolegu juaj dhunon kamarierin?
“Dhashë deklaratën time, ku sqarova se prania ime në vendngjarje kishte vetëm një qëllim: të bëja punën time si gazetar. Sot, për habinë time, pashë që në komunikatën zyrtare është përmendur emri im, pa u marrë asnjë dëshmitar i pranishëm, pa u parë kamerat e sigurisë dhe pa asnjë provë konkrete.
Prandaj, atë që nuk keni arritur ta bëni ju — të mblidhni prova dhe të merrni dëshmitarë — do t’jua sjell unë. Sot e nis me dëshminë e Aronit, të riut që u dhunua”, shkruan gazetari ndër të tjera.
Ndërkohë që vetë Aroni i cili në këtë video qëndron krah Mehmetit pohon se gazetari vlonjat në asnjë moment nuk ushtroi dhunë ndaj personave të përfshirë në sherr dhe se në momentin kur dhe ndodhi ngjarja ai ishte së bashku me të duke u përgatitur për intervistën.
“Absolutisht asnjë njeri ne ishim bashkë të dy në godinë po përgatiteshim për intervistën, ti nuk dole as jashtë fare kur u bë gjëja, unë vetëm dëgjova, as unë nuk e pashë çfarë u bë. Nuk ke goditur asnjë”, thotë Aroni.
Pjesë nga biseda:
Gazetari: Kam goditur njeri unë?
Aroni: Absolutisht asnjë njeri ne ishim bashkë të dy në godinë po përgatiteshim për intervistën, ti nuk dole as jashtë fare kur u bë gjëja, unë vetëm dëgjova, as unë nuk e pashë ccfarë u bë. Nuk ke goditur asnjë.
Gazetari: Dhe kjo është e vërteta që disa që duan të më përfshijnë vetëm e vetëm që pse unë publikova këto pamje, vetëm e vetëm se unë publikova intervistën e Aronit. Të nderuar unë nuk e mbyll gojën përpara padrejtësive, unë nuk i mbyll sytë dhe unë do të jem përkrah çdo qytetari të Vlorë si Aroni, dhe çdo të riu, të reja, të moshuar, familje për të denoncuar padrejtësinë.
Në momentin që kam marrë vesh për atë që i ndodhi Aronit, shkova te hoteli, mora inf, kam qenë duke marrë pamjet filmike me qëllim për ti publikuar. Ky i ri që ndodeht sot në dyert e spitalit për të marrë ndihmë ne nevojshme mjekësore. Dhe më pas ishim duke u përgatitur për intervistë.
Arsyeja se e doja me video dhe jo me shkrime sepse doja ta faktoja janë shumë dëshmitarë të cilët kanë qenë në lokal dhe mund t dëshmojnë nëse unë kam qenë pjesë e kësaj ngjarje apo jo. Nj gazetar nuk duhet ta mbyllë kurrë gojën, me çdo presioni që mund ti bëhet, edhe nëse çohet për ndjekje penale. Një gazetar i mirë e publikon, jep dëshminë dhe kurrë nuk intimidohet nga asnjë lloj kërkese për të mos publikuar pamjet, për të mos bërë të ditur ngjarjen dhe për këtë arsye unë jo vetëm që bëra punën si gazetar por e çova më tej edhe ëpr tju dëshmuar njerëzve.
Aroni: Nuk jam bërë pishman fare që e bëra atë intervistë. Kam një mendim shumë të mirë, jam shumë pro asaj që keni bërë dhe po vazhdoni të bëni. Vetëm të vërtetën kam thënë dhe atë do bëj gjithmonë siç po e bëni dhe ju.