Ja tre thirrjet me lutje për ndihmë nga Veliaj dhe si u refuzua ftohte nga Edi Rama (DOSJA)

Nga Dorian Kodra

Momentin e arrestimit, çastin kur prangat të ftohin kyçet dhe polici të pëshpërit “Je nën arrest!” shkrimtari rus Aleksandër Solzhenjici e quan një “pikë thyerjeje” në jetën e një njeriu, një nga ato momente që truri e ka të vështirë ta perceptojë plotësisht, pasi i arrestuari nga njeri shndërrohet në një paketë, një objekt, një numër.

Meqënëse e ka të pamundur ta konceptojë realitetin e ri, mendimi i parë është se ky “është thjesht një keqkuptim. Një gabim. As nuk do të guxonin…” e vetmja blegërimë e mekur shkruan Solzhenjici është “Unë? Për çfarë?”.

As kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk përbën një përjashtim nga impakti i parë pas arrestimit, të paktën nga ato që tregoi në hetuesi, polici Fation Baci, i cili i dha celularin për pak minuta “Lalit” në udhëtimin nga qelia e Durrësit në gjykatën e Tiranës. Dëshmia e policit zbulon se sa brutal ka qenë rrëzimi i Veliajt nga qendra e pushtetit për në birucat e Durrësit, siç e përshkruan polici Fation Baci: “Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin”.

Përtej përjetimit personal, rasti Veliaj ka edhe një veçori të çuditshme. Në momentet kur po i përmbysej bota, kur e morën për ta futur në një birucë te “313”, atëherë kur një univers tjetër i hapi dhunshëm dyert për “Lalin”, ky i mbajti shpresat tek vetëm një njeri; Edi Rama.

Janë tre episode të atyre ditëve, kur ky naivisht Veliaj ia shtrin dorën Edi Ramës, por të trejat herët merr refuzim dhe braktisje përballë humorit të hetuesve.

Skema e deputetit: një plan B që nuk funksionoi

Nga dëshmia e detajuar që polici Fatjon Baci ka dhënë në prokurori, Erion Veliaj fliste në telefon me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa për një “Plan B” që do ta shpëtonte nga paraburgimit: të kandidonte si deputet i PS-së përmes një vendi vakant në listë, duke “sakrifikuar” një student që do të tërhiqej për arsye shëndetësore.

Të njëjtën gjë, zbulon telefonata e Veliajt, e kishin bërë edhe Tërmet Peci (kryebashkiak i Tepelenës) dhe Agron Malaj (i Matit), të cilët, sipas tij, u futën në Kuvend për të përfituar imunitet parlamentar pas hetimeve që kishte nisur SPAK për ta.

“Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAKUT” ka thënë polici para prokurorëve.

Por oferta për Tërmet Peçin dhe Agron Malajn, nuk ishte e vlefshme për Erion Veliajn. Edhe pse ai u arrestua në datën 10 shkurt dhe kishte dy muaj kohë për ta shkarkuar nga bashkia e Tiranës dhe për ta futur në listat e Partisë Socialiste, “plani B” mbeti në sirtar. Rama nuk e propozoi në listat e kandidatëve dhe as e hapi fare këtë skenar për Tiranën. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që Veliaj i kërkonte ndihmë.

Denoncimi që nuk u bë: akuzat për 2 milionë euro ryshfet

Gjatë ditëve të para në qeli dhe ndërsa ishte nën përgjim të SPAK, Veliaj tentoi të publikojë një kundërakuzë në media ku të tregohej se si ishte shantazhuar në këmbim të 2 milion eurove dhe se për këtë kishte dëshmitarë Alban Dokushin, Isuf Berberin dhe Myslim Murrizin. Veliaj i çon fjalë edhe Edi Ramës nëse mund të dalë me këtë version të ngjarjeve, por sërish anashkalohet me arrogancë.

“Në orën 11:09, Erion Veliaj bisedon me Ajolën dhe i kërkon që të bisedojë me KM dhe t’i thotë që Erioni ka këtë informacion. T’i thotë që për kokën e Erionit janë kërkuar dy milionë euro, o paguaj ose do të marrim pagesën që ka bërë dikush tjetër. I thotë që t’i shkuajë Edit, që për këtë gjë të dëgjojë Arbrin e vogël, ose Maznikun, ose Fugën, ose Meron. Erion Veliaj i thotë se nuk ka çfarë të bëjë me këtë informacion, pasi ai ishte takuar me Alban Dokushin, Isuf Berberin dhe Myslim Murrizin, dhe i kanë thënë që koka jote vlen dy milionë euro” shkruhet në dosje.

Por ky version i ngjarjeve, që do të ishte një kundërsulm i fortë ndaj prokurorëve të SPAK, bllokohet nga Rama. Përgjigjia është një JO e prerë.

“Në orën 15:24, Erion Veliaj bisedon me Arbërin, ky i fundit i thotë se ai tha jo në mënyrë kategorike, por nuk i kishte dhënë asnjë arsyetim. Erioni i thotë se bënë mirë që e pyetën, pasi ai, e di sa shkon pazari aty” thuhet në dosje.

Kuptohet se ky plan i Veliajt për t’u lëshuar në kundërsulm ndaj prokurorëve kërkonte lejen e kryeministrit, në mënyrë që “informacioni” të përdorej për të goditur SPAK-un.

Por Rama nuk e përkrah strategjinë e komunikimit dhe as e lejon Veliajn ta përdorë këtë informacion për të krijuar një skandal që do ta dëmtonte SPAK-un. As kjo nuk ishte as hera e parë që shefi politik nuk i del në krah.

Telefonata që mbeti pa përgjigje: 10 shkurt 2025

Siç ka raportuar edhe më parë Lapsi.al, ditën e arrestimit, në çastin kur u përball për herë të parë me oficerët e policisë, Veliaj ishte në zyrën e tij në bashki. Njerëzit e SPAK që ia behën në korridoret e bashkisë, pas prezantimit e komunikimit të arsyes përse ishin aty, i kërkuan Veliajt të shkonte pas tyre. Por kryebashkiaku, i habitur për atë që po i shihnin sytë dhe në një përpjekje për të fituar kohë, thirri menjëherë aty në zyrën e tij sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushin. I kërkoi sekretarit të lexonte vendimin që kishin sjellë oficerët e SPAK e teksa Dokushi lexonte dokumentin, Veliaj mori celularin dhe nisi të telefononte të vetmin njeri, që ato sekonda kur po i “shembej bota” mendonte se mund ta shpëtonte, pikërisht kryeministrin Edi Rama. Thirrjet drejt numrit të Ramës vijuan disa herë, por më kot. Nga ana tjetër e celularit nuk u përgjigj askush.

Dukshëm i tensionuar që telefonata nuk po realizohej, “Lali” nisi të dërgonte mesazhe të shkruar, përmbajtjen e të cilit e di vetëm ai dhe Rama. Leximi i dokumentave u krye ndërkohë nga drejtori i Veliajt dhe nuk kishte më çfarë të pritej. Oficerët i kërkuan kryetarit të bashkisë të shkonte pas tyre, në të kundërt do të përdornin forcën.

Të tjerat dihen. Që të dukej sikur kishte dalë për punë, Veliaj mori një dosje me vete. Rama, që ishte në Shkodër shpërndau lajmin sikur ishte nisur me urgjencë drejt Tiranës. Në ditët që erdhën, e mbrojti me fjalë kryebashkiakun, por paralelisht nisi shkrirjen e klanit “Veliaj” në PS dhe në Bashki.

 

 

“E kanë me mua personale”

Nëse i shohim të treja përpjekjet e “Lalit”, 1) telefonatën e injoruar, 2) akuzën e heshtur për ryshfet dhe 3) idenë e refuzuar për t’u bërë deputet, kuptohet se përballë ngrihej një mur i ftohtë mohimi, nga njeriu që deri dje e kishte promovuar me zell.

Vetëm se kjo nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. Braktisja kishte qënë një proces që nisi me kritikat në Asamble, me fotot e retushuara në Facebook, me emrat që e zëvëndësuan Veliajn në PS e Tiranës dhe që vazhduan pas arrestimit, me tërheqjen e protestave para SPAK, me lënien jashtë grupit parlamentar të klanit Veliaj dhe deri kur frerët e bashkisë i kaluan Belinda Ballukut.

Dikush mund të thotë se Veliaj nuk ishte aq naiv, sa të mos e kuptonte se nga i vinin thikat pas shpine, por në fund të fundit nuk kishte zgjedhje tjetër veçse t’i përgjërohej Ramës për ndihmë. Në fakt, polici Fation Baci tregoi se në furgonin e mbushur plot me policë, teksa ktheheshin për në qelitë e Durrësit, e kishte dëgjuar Erion Veliajn të shprehej në një nga telefonatat me të shoqen: “E kanë me mua personale!”./Lapsi.al