Një reagim i fortë dhe emocional ka ardhur nga Eliona Shkrela, ish-kandidate për deputete dhe Kryetare e Partisë Demokratike në Shkodër, e cila denoncon publikisht një vendim të Bashkisë Shkodër për largimin nga puna të bashkëshortit të saj, aktorit të njohur Simon Shkreli. Sipas saj, ky vendim është një akt i pastër hakmarrjeje politike nga kryebashkiaku Benet Beci, të cilin ajo e akuzon për “persekutim të mendimit ndryshe”.
Në një status të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në rrjete sociale, Shkrela shprehet se Simoni nuk është thjesht një punonjës, por një emër i formuar në teatrin “Migjeni” që prej vitit 2006, një aktor i talentuar, me arsim të lartë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe me një kontribut të vazhdueshëm në skenën kulturore të qytetit.
“Notën e diplomës, talentin dhe dashurinë e publikut nuk mund t’ia heqë kurrë Simonit, Benet Beci!”, – shkruan ajo.
Shkrela thekson se vendimi për largimin e tij nuk ka asnjë bazë profesionale apo institucionale, por lidhet drejtpërdrejt me qëndrimet kritike që ajo vetë ka mbajtur ndaj kryebashkiakut të Shkodrës gjatë dy viteve të fundit, ku sipas saj, Beci ka abuzuar me investimet dhe projektet në dëm të qytetit.
“Sot nuk po largohet thjesht një aktor. Sot po thellohet shkatërrimi i një institucioni me histori, Teatrit ‘Migjeni’. Sot po goditet dinjiteti i një familjeje shkodrane vetëm sepse kemi guxuar të flasim”, – vijon ajo.
Duke e krahasuar këtë akt me një formë të re të persekutimit modern politik, Shkrela shpreh vendosmërinë për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore, përmes një procesi gjyqësor ndaj Bashkisë së Shkodrës, që sipas saj po funksionon si instrument hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve politikë.
“Sot metoda moderne e Benetit është largimi nga puna i të gjithë atyre që nuk i binden apo e kritikojnë me fakte. Paraardhësit e tij komunistë internonin, persekutonin e pushkatonin, ndërsa Benetët e sotëm të largojnë nga puna dhe vendosin patronazhistët e bindur.”
Ajo e mbyll reagimin me një mesazh të fortë besimi dhe sfide:
“Ne do të vazhdojmë përpara edhe më të fortë sepse misioni i të vërtetës nuk mposhtet nga hakmarrjet. Fuqia e njeriut mbaron aty ku fillon ajo e Zotit.”
Reagimi i Eliona Shkrelës ka shkaktuar debat në rrjet dhe pritet të pasohet nga qëndrime publike, ndërkohë që Bashkia Shkodër nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me këtë çështje. Largimi i një aktori me kontribut të gjatë nga një institucion historik si Teatri “Migjeni” nuk është më thjesht një çështje pune, por një debat politik, kulturor dhe qytetar në zemër të Shkodrës.

Reagimi i Plote i Eliona Shkrelit:
Sot Bashkia Shkodër me urdhër personal të Benet Becit ka nisur procedurën për largimin nga puna të bashkëshortit tim, Simon Shkreli!
Patjetër që kjo është “kostoja” e lirisë së fjalës, denoncimit me fakte, evidentimit të problemeve dhe thënies së të vërtetës në këto 2 vite që Benet Beci, turisti shkodran, më shumë shkatërroi se sa ndërtoi duke vjedhur në emër të investimeve e projekteve taksat e shkodranëve!
Sot nuk po largohet nga puna thjesht një aktor i teatrit “Migjeni”, një kryefamiljar, sot po thellohet shkatërrimi i një teatri shekullor dhe shkatërrimi i tempullit më të rëndësishëm të Shkodrës, shkatërrim i cili ka filluar që me shkrirjen e tij, një vendim i atyre keqdashësve që trashëgiminë që lanë emrat më të njohur të skenës shqiptare e më gjërë, t’a “zhdukin” me një vendim absurd bazuar në mentalitetin komunist që Shkodra dhe shkodranët duhen persekutuar edhe sot!
Bashkëshorti im, Simoni, prej vitit 2006 është angazhuar në teatrin “Migjeni” me trupën profesioniste, atëherë kur teatri prodhonte premiera të suksesshme. Në 2014-tën, Simoni u bë aktor rezident i trupës së teatrit me vendim ligjor të Bashkisë Shkodër!
Studimet e larta i kreu në Prishtinë në Fakultetin e Arteve për aktor me notë diplome 10. Student i emrave të njohur të artit shqiptar si i ndjeri Faruk Begolli, Ilire Vinca, Enver Petrovci etj.
Ka kryer me shumë përkushtim e dëshirë çdo rol që i është ofruar duke dhënë maksimumin përmes punës për të realizuar më të mirën e mundshme.
Notën e diplomës, talentin, dhe dashurinë e publikut nuk mund t’ja heqë kurrë Simonit, Benet Beci!
Vendimi për largimin e bashkëshortit tim nga puna, është hakmarrje e pastër politike e Benet Becit ashtu siç kanë vepruar paraardhësit e Tij komunistë. Sot metoda moderne e Benetit është largimi nga puna e të gjithë atyre që nuk i binden apo e kritikojnë me fakte e argumenta. Paraardhësit e tij komunistë internonin, persekutonin e pushkatonin, ndërsa Benetët komunistë të sotëm, të largojnë nga puna për të të zëvendësuar me patronazhistë servilë dhe ushtarë të bindur!
Kjo nuk na tërheq pas sepse eksperienca të tilla i kemi pasur edhe më përpara, përkundrazi na bën më të fortë përballë frikacakëve që përballjen me faktet e fjalën e lirë e dënojnë me largime nga puna.
Pa asnjë diskutim që largimi i padrejtë nga puna i bashkëshortit tim do vijojë në një proces gjyqësor përballë Bashkisë korruptive, abuzuese me taksat e shkodranëve dhe hakmarrëse të Benet Becit dhe shokëve e shoqeve të Tij, servilë të bindur.
Njeriu në jetë ka vetëm dinjitetin dhe karakterin që e formëson në një qënie të pranuar në shoqëri. Simoni dhe unë kemi punuar gjithmonë me dinjitet, me shumë punë e sakrifica për të qënë këta që jemi sot. Dy qytetarë të Shkodrës që kemi dhënë kontributin tonë modest në gazetari, art e së fundmi dhe në politikë. “Emrin” që kemi fituar me punë të ndershme nuk na e heq as Benet Beci e as drejtuesit e tij të paaftë.
Ne do vazhdojmë përpara edhe më të fortë sepse fuqia e çdo njeriu mbaron aty ku fillon ajo e Zotit!
Me Zotin në krah ia kemi dalë dhe do ia dalim çdo sfide tjetër!
Misioni i të vërtetës nuk mposhtet nga hakmarrjet e turistëve të cilët ‘pushtetin’ kalimtar që kanë do e gëzojnë në dyert e qelive të burgut!