“Të fala Sandrit!” me kullat rresht, resorte në Jug e miliona € qoka…
Ditën e djeshme raportuam përfitimin e një lejeje të frikshme ndërtimi në liqenin e Farkës ku bëhej fjalë për ngritjen e 17 kullave nga 30 kate secila, projekt që do të betonizojë totalisht njërën prej të pakëtave hapësira të gjelbra në Tiranë.
Pronarë të kullave është Dhjus Bushaj, kamufluesi i pasurive të oligarkëve të vendit dhe Erion Gina, kunari i Aleksandër Frangaj, i cili njihet më së miri për lidhjet blu-mavi dhe qokat e përfituara ndër vite nga pushteti e opozita.
Gina, është njëri prej kamufluesve kryesorë të pasurive të Frangajt, lejet e përfituara të ndërtimit e kanalizimit të të ardhurave. Vëllai i gruas së tij ka përfituar një sërë lejesh nga kryeqyteti e deri në Jug që i ka kamufluar në emër të vet si sipërmarrës.
Por kush është Erion Gina?
Ai rezulton pronar i disa kompanive, ndër to: EBG Group; Lion Construction pasi më në fund vendosi të mos qëndronte më në hije dhe të dilte de jure pronar duke blerë 50% të aksioneve të kompanisë nën pronësinë e Dhjus Bushajt, me të cilin ndan edhe gjysmën e pronësisë në kompaninë Golden Key; dhe së bashku me Dhjusin ndan edhe me Lenc Gjikurinë (një nga pjesëtarët e grupit kamuflues të Frangajt), 33% të aksioneve në kompaninë Seaside Construction.
Me kompaninë Golden Key në bashkëpunim me Gjikurinë, Gina ka përfituar leje ndërtimi mbi tokë shtetërore në Drimadhë.
Sipas dokumenteve zyrtare, kompania “Golden Key” e Ginës, është regjistruar më 19 korrik 2021, ndërsa leja për resortin “Drymades Villas” është dhënë katër muaj më parë, më 17 maj 2021, një mashtrim që përbën vepër penale.
Më 8 mars 2023, u shtua me leje të shtetit edhe 2500 m² tokë dhe 22 vila të tjera në këtë projekt, duke e shpallur “Investim Strategjik”, në mënyrë që të shmangej pagesa për tokën dhe taksat përkatëse.
Lejet vazhdojnë për një resort që quhet Village Square, resort rezidencial dhe turistik do të ndërtohet në Dhërmi nga kompania Seaside Construction. Gina po ashtu ka përfituar leje për ndërtimin e një kompleksi vilash në Mjull Bathore e shumë të tjera.