Rasti i dhunës së ushtruar ndaj kamarierit 18 vjeçar në një nga lokalet e Vlorës ka tronditur opinionin publik ditët e fundit.
Pamjet e qarta ku një ish polic, Ardian Isufi, shihet duke goditur 3 herë në fytyrë kamarierin kanë bërë xhiron e rrjetit dhe nuk kanë lënë vend për interpretim.
Mirëpo, ishte vëllai i ish policit, Flamur Isufi, ai që mohoi atë çka u pa nga kamerat e sigurisë. Pak ditë më parë ai doli me një deklaratë publike tek tha se në fakt nuk ishte vëllai i tij ai që e kishte goditur kamarierin, por shoku i cili ndodhej në krah.
“Personi që godet kamarierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit te jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër”- tha ndër të tjera Flamur Isufi.
Mirëpo, kjo deklaratë bie ndesh me atë të avokatit të Ardian Isufit, i cili ditën e djeshme deklaroi publikisht se polici thjesht e ka shtyrë në nofull kamarierin por nuk e ka goditur.
Rasti ka nxjerrë në pah kontradikta të forta mes deklaratave publike. Ndërsa vëllai i Ardian Isufit mohon që ky i fundit të ketë goditur kamarierin, avokati i tij pranon një kontakt fizik, duke thënë se e ka “shtyrë në nofull”. Këto qëndrime të ndryshme ngrenë dyshime dhe e bëjnë edhe më të nevojshëm një hetim të paanshëm dhe të mbështetur në prova.