Nga majat e pushtetit në dosjet e SPAK-ut; si u shkërmoq rrjeti familjar që sundoi politikën dhe drejtësinë…
E mbështetur nga kryeministri Edi Rama që në vitin 2009, për shkak të lidhjeve të saj me një biznesmen kontravers shqiptar në Greqi, Ermonela Felaj nisi karrierën si deputete e PS-së. Që prej atij momenti, Felaj u rrit me shpejtësi në hierarkinë politike, duke u emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe më pas, për katër mandate, duke drejtuar komisionet më të rëndësishme parlamentare, si ai për Çështjet Ligjore, Sigurinë Kombëtare dhe Rregulloren.
Gjatë kësaj periudhe, ajo krijoi një rrjet të fuqishëm ndikimi, të quajtur tashmë “Dinastia Felaj”, me ndikim në politikë, administratë dhe drejtësi.
Por nga viti 2024, dinastia nisi të rrënohej.
Fillimisht, në korrik 2024, me urdhër të Edi Ramës, Ermonela Felaj u shkarkua nga posti i nënkryetares së Kuvendit dhe u përjashtua nga të gjitha funksionet në parti e parlament. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, u vendos në listë si kandidate për deputete me qëllimin e qartë për të mos u rizgjedhur.
Goditja tjetër erdhi më 27 shtator 2024, kur bashkëshorti i saj, prokurori i Tiranës Bledar Valikaj, u thirr nga SPAK për lidhjet e tij me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, dhe për ndërhyrje në dosjen e Lendi Palajt. Ai akuzohet për zhdukje provash dhe për favore ndaj personazheve me profil kriminal.
Ndërkohë, ai është emëruar prokuror në Tiranë që në mars 2019, pa kaluar proces vetingu dhe me dyshime për pasuri të pajustifikuara.
Më 28 korrik 2025, edhe motra e Ermonelës, Eranda Felaj, prokurore në Tiranë, u përjashtua për 15 vjet nga drejtësia, me vendim të KPA-së, për pasuri të paligjshme dhe lidhje me botën e krimit.
Lista vazhdon me vëllain e saj, Armando Felaj, i emëruar oficer i policisë gjyqësore në Tiranë më 2019, dhe me kunatën Alma Felaj, emëruar prokurore në vitin 2023. Të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin dhe me një model të qartë të kapjes së sistemit të drejtësisë.
Pas një dekade ndikimi absolut në sistem, “Dinastia Felaj” sot po shembet nën peshën e vet dhe nën dritën e hetimeve të SPAK./Pamfleti