Një kthesë dramatike ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 33-vjeçarit Erjon Pelivani në Greqi, ngjarje që tronditi opinionin publik në janar të këtij viti.
Pelivani u vra nga kunati i tij, Fatmir Tarellari, pasi ky i fundit u bind nga vajza e tij 19-vjeçare se viktima e kishte përdhunuar dhe shantazhuar. Por e vërteta mori një drejtim tjetër gjatë seancës së fundit në Gjykatën e Larisës.
Në një dëshmi tronditëse, vajza e të pandehurit pranoi se kishte falsifikuar mesazhet SMS, me qëllimin për të bindur të atin se daja kishte abuzuar me të. Ky manipulim çoi drejt një akti fatal: vrasjen e Pelivanit me armë gjahu pranë një fabrike çimentoje në Volos, më 9 janar 2024.
Sipas hetimeve të policisë greke, ngjarja nisi kur Tarellari u njoftua nga pronarja e banesës ku jetonte e bija, se ajo nuk kishte paguar qiranë, ndonëse ai ia kishte dërguar rregullisht paratë. Në përpjekje për t’u justifikuar, vajza i tha se ishte shantazhuar nga daja dhe i tregoi të atit disa mesazhe, të cilat rezultuan më pas të jenë të montuara.
Hetimet e Drejtorisë së Hetimeve Penale konfirmuan manipulimin e mesazheve, duke sjellë një përmbysje të plotë të versionit fillestar të ngjarjes. Në sallën e gjyqit, 19-vjeçarja pranoi para trupit gjykues se kishte fabrikuar mesazhet për ta bindur të atin të ndërmerrte aktin fatal.
Nga ana tjetër, Fatmir Tarellari u shpreh në gjykatë se ndjehet i shkatërruar emocionalisht dhe se kishte vepruar i shtyrë nga besimi i verbër ndaj vajzës së tij.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa priten zhvillime të tjera në seancat në vazhdim. Hetimet po thellohen për të zbardhur plotësisht motivet dhe përgjegjësitë që çuan në këtë tragjedi familjare.