Nga listat e reja të deputetëve deri tek emërimet në kabinet, mandati i katërt i Ramës reflektim i kontrollit total mbi partitë dhe pushtetin e tij personal…
Qarqet mediatike pranë qeverisë po tentojnë të përcjellin idenë se mandati i katërt i Edi Ramës nuk është për socialistët, por për Europën. Sipas kësaj teze, qeverisja duhet të bëhet me teknokratë dhe figura të pavarura, përfshirë edhe elemente nga opozita, duke krijuar iluzionin e një hapjeje politike. Në realitet, kjo është vetëm një mbulesë për konsolidimin e pushtetit personal. Që nga 2013-a, Rama ka çmontuar hierarkinë e Partisë Socialiste, duke larguar, denigruar ose izoluar emra të njohur, nga gardistët e vjetër si Fatos Nano, Pandeli Majko e Ilir Meta, tek ministrat e shquar të mandatit të parë dhe të dytë.
Ideja e kësaj teze që duket qartë e hartuar në “kuzhinën e madhe” të propagandës së Edi Ramës, është që tashmë në herën e katërt, qeverisja duhet të bëhet jo me detashmentin politik të Partisë Socialiste, por me të “pavarur”, “teknokratë” apo edhe nga peshkimet që mund të bëhen nga “ambiciozët” e opozitës.
Gjasat janë që po synohet të krijohet në opinion, ideja e një hapjeje, e një tentative për pajtim politik nga Edi Rama, i cili e ka marrë mandatin e tij qeverisës, si kryetar i Partisë Socialiste, përkatësisht nga 90% i elektoratit të përhershëm të së majtës në vend.
Sado që po mundohen të injektojnë nga lart një lëndë PR që të përgatitet opinioni, faktet dhe ngjarjet që kanë ndodhur prej 2013-s, tregojnë se viktimat më të mëdha të qeverisjes së Edi Ramës kanë qenë vetë socialistët. Me të cilët, kryetari i tyre luan përmes një sadizmi të pashoq, me frikën e rikthimit të Sali Berishës dhe “invazionin e barbarëve” që medemek do nisin edhe njëherë avazet e tyre të zhurmshme.
Qeverisjet e Edi Ramës nuk kanë qenë asnjëherë një mandat politik real që të pasqyrojë votën dhe kontributin e figurave të PS-së.
Që nga lart deri te baza poshtë, kreu i socialistëve ka çmontuar vit pas viti tërë hierarkinë e organizatës më të fuqishme politike në vend, duke e zëvendësuar me personazhet të lidhur ngushtësisht me pushtetin dhe aferat e tij.
Mjafton të shohim me detaje kurbën politike që nga viti 2013. Personazhet më popullore në Partinë Socialiste sot janë jashtë saj, ose të dërguar prapa hekurave, ose të denigruar e më pas të larguar.
Lista është shumë e gjatë dhe nis me emrat e gardës së vjetër që i përkasin epokës së qeverisjeve të Fatos Nanos, Pandeli Majkos e Ilir Metës. E gjithë kjo pjesë e themeluesve, u sikteris më herët jo vetëm nga postet e larta, por edhe nga përfaqësimi politik i forumeve partiake, apo edhe nga zijafetet protokollare.
Që nga Fatos Nano, Arta Dade, Arben Malaj, Namik Dokle, Servet Pëllumbi etj etj, u larguan që prej kohës së opozitës.
Ndërkaq, epokën e qeverisjes së tij të gjatë, Edi Rama, e nisi duke shkelur mbi kufomat politike të shokëve dhe njerëzve të tij të afërt që solli në drejtim, duke fituar zgjedhjet e 2013. Duke nisur me Saimir Tahirin, deputetin energjik, ministrin e Brendshëm të mandatit të parë dhe kreun popullor të PS-së së Tiranës. E hodhi si ‘mish të kuq’ për “tigrat” e xhunglës politike shqiptare, që e shqyen me naivitetin se po mprehnin dhëmbët për Edi Ramën.
I cili sa e ndjente se kamarja e stërmadhe e mishngrënësve ishte bosh, këlltup i bënte gati nga një kurban të freskët të hajatit të tij politik. Madje, për këtë u bë i famshëm sa u hap fjala se ka një listë të gjatë, si listat e Stalinit me një radhë të paracaktuar eleminimi.
Pas Tahirit, personazhi tjetër i rëndësishëm i PS-së, ishte ministri i Jashtëm i mandatit të parë dhe gjysmës së mandatit të dytë, Ditmir Bushati. Një politikan që erdhi në ngjitje gjatë detyrës së tij, duke krijuar marrëdhënie dhe reputacion ndërkombëtar në kancelaritë perëndimore.
Gjë që e bënte natyrshëm një figurë logjikisht të imagjinueshme për të ardhmen e gjeneratave drejtuese në Partinë Socialiste.
Suksesi i Bushatit i errësoi sytë Edi Ramës dhe e degdisi si pa gjë të keq, duke e larguar dalëngadalë nga të gjitha funksionet politike në qeveri dhe PS.
Duke e kthyer diplomacinë shqiptare në një vend rezervë që drejtohet me komandim nga bedelët, të cilët nuk duhet ta imagjinojnë se janë ministra.
Puna e ministrave pas Ditmir Bushatit matet me herët që ata e përmendin “të madhin” në takimet me ndërkombëtarë, duke nënvizuar se çdo ide vjen nga Ai, që ka nisur të punojë edhe me AI (inteligjencë artificiale).
Pas Bushatit, viktima e radhës ishte Damian Gjiknuri, superministri i mandatit të parë dhe udhëheqësi politik i disa fitoreve në qarqe të ndryshme. I cili doli deputet në zgjedhjet e fundit, vetëm në saj karizmës së tij politike. Dhe me dinakëri po përdor qëndrimin në hije për të mos e zënë vështrimi i të gjatit, për ta bërë kurbanin e radhës.
Pas Gjiknurit, i cili ishte numri dy i partisë, fatin e tij e pësoi pasardhësi, Taulant Balla. I cili ka mbetur një ministër pa portofol, me veshët ‘pipëz’ nga frika e shushurimave të Edit, i cili përmes veglave qorre të tij i permend minutë për minutë SPAK-n.
Kurbani më eminent natyrisht që është Erion Veliaj, kryebashkiaku me tre mandate i Tiranës dhe udhëheqës politik i qarkut. Mbi të cilin “Zeusi” me syze të kuqe po përdor metodat më të frikshme të Gestapos, KGB-së dhe Sigurimit të Enver Hoxhës, për ta thyer e copëtuar deri sa ta shkatërrojë.
Gjatë këtyre viteve, Rama ka bërë sikur kthen ndonjë “socialist të vjetër”, por që i mban ca ditë e më pas i degdis prapë. Dëshmi e kësaj sjellje janë Musa Ulqini e Lavdrim Krashi, të cilët gjatë mandateve respektive ruajtën popullaritetin dhe integritetin e tyre, duke mos i dhënë material shefit që t’i hedhë si mish për egërsirat. Pikërisht, ndershmëria dhe mungesa e ceneve konsiderohet nga Padishahu si e padobishme, ndaj i largoi pa paralajmërim, duke ua bërë të ditur që të mos afrohen ndonjëherë te mëhalla e partisë.
Fatin e socialistëve VIP e kanë pasur edhe shumë të tjerë që kanë qarkulluar në strukturat politike dhe ato qeverisëse në bazë. Ngjarja e Vlorës, Durrësit, Fierit, Tiranës etj, ku i hodhën nga dritarja socialistët e bashkive, është dëshmia autentike e asaj që po thonë sot se “mandati nuk është për socialistët”.
Pasi ai është për Edi Ramën, familjen e tij, tarafin e tij, oligarkët dhe gjithashtu për grupin e besnikëve të ngushtë që kalojnë në orgazëm kur e përmendin. Si deputetet e reja që mbushën listën e PS-së në zgjedhjet e 11 majit. Të cilat nuk do të reshtin më tej së sprovuari për të folur për “mendjen e pazakontë që ka kryetari”, me shpresën se do t’i bëjë zëvëndësministre. Apo ndonjë kryetar bashkie, pasi kanë folur e janë sharë për vite për mbrojtjen e Ramës në emisionet televizive. Meqë ra fjala: Po Pandi(Majko), ç’ka që nuk del nga shtëpia që nga 11 maji?!/Pamfleti