Fondacioni Firdeus ka marrë përsipër kurimin e vëllait të dy motrave që humbën jetën në aksident në Sarandë, i cili vuan nga leuçemia.
Kreu i Fondacionit, Elvis Naçi ka përcjellë lajmin se do të jetë “Firdeus” ai që do të marrë përsipër kurimin e 10 vjeçarit, vëllait të dy motrave të ndjera.
“Shprehim ngushellime per humbjen e dy vajzave. Per vellain e vogel Fondacioni merr persiper kurimin e tij. Kjo ngjarje me humbje kaq te madhe na preku te gjitheve pasi motrat po shkonin tek vellai i tyre per vizite.
Nga mediat u njohëm se vëllai i tyre vuan nga leucemia dhe i derguam lajmin familjes se do te jemi ne krah te tyre per sherimin e djalit te vogel sa me shpejte qe te jete e mundur . Zoti ua lehtesofte kete dhimbje kaq te madhe”-shkruan Elvisi në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Në familjen Dhimaku ka pllakosur zija. Dy vajzat, Elvisa 22-vjeçare dhe Rozina 20 vjeç, humbën jetën si pasojë e aksidentit tragjik në Sarandë. Mes dhimbjes së madhe e me lot në sy, halla e vajza rrëfen sakrificat e dy motrave, të cilat bënin dy punë për kurimin e vëllait 7-vjeçar i cili vuan nga leucemia.
Mbrëmjen e së dielës, kur ndodhi edhe aksidenti tragjik, halla tregon se dy vajzat ishin nisur për shitur misra në Sarandë.
“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi. Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, shprehet Shahidja, halla e vajzave mes lotësh.
“2 yje dy vajza, 22 vjeçe 20 vjeçe, të dyja studente në Tiranë. Prindërit punëtorë në fshat, punonin natë-ditë për ato vajza ti sistemojnë, të studionin. Kërkojnë ndihmë për çunin, zoti të na ndihmojë. Djali nuk di gjë për motrat”, tha Servet Dervishi, daja i vajzave.
“Jetoj në emigrim. Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit, ndihmë kërkojë dhe për djalin se vajti 3 vjet me këto probleme, ka sëmundje gjaku. Kemi luftuar me forcat tona kaq sa kemi pasur mundësi. Djali është 7 vjeç. Në momentin që do e marrë vesh, menjëherë do përkeqësohet gjendja e tij”, shprehet xhaxhai i vajzave Vasil Dhimaku.
Te dyja vajzat studionin mjekësi.