Më 11 shtator Edi Rama pritet ti japë fund dilemave për kabinetin e ri qeveritar. Burime të sigurta pranë Partisë Socialiste bëjnë me dije për një emision televiziv se kjo është data se kur kreu i qeverisë në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste do të publikojë skuadrën e tij të mandatit të katërt.
Në një kohë kur na ndajnë edhe dy javë nga kjo datë, kryeministri do të vijojë takimet në zyrën e tij në godinën e qeverisë.
Teksa të gjithë janë në pritje të emrave të përzgjedhur nga kreu i ekzekutivit, Presidenti Bajram Begaj do të duhet të dekretojë një datë për seancën e parë të parlamentit të ri.
Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit ka mundësi që brenda një harku kohor 10 ditor të thërrasë mbledhjen e parë, atë të konstitumit të parlamentit.
10 shtatori është data e parë se kur Begaj mund të thërrasë parlamentin, ndërsa afati fundor është 20 shtatori.
Në mbledhjen e parë të parlamentit të ri zgjidhet një komision i përkohshëm për verifikimin e mandateve ku një e nga një ftohen deputetët të bëjnë betimin.
Më pas seanca vijon me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, ku kandidati për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë me shumicën e votave.