Ndryshime radikale në qeveri, ja “tërmeti” që do të shkaktojë Rama në PS, si do i heqe besnikët partiakë…

Portreti i mandatit të katërt të kryeministrit Rama po merr formën e një transformimi të thellë në Partinë Socialiste dhe qeverisjen e vendit. Gazetari Ardit Rada paralajmëron në një intervistë për gazetën “SOT” se shtatori do të shënojë një “tërmet” në kabinetin qeveritar, ku për herë të parë Rama pritet të sakrifikojë besnikët e tij partiakë për t’u hapur rrugën teknokratëve dhe ekspertëve që njohin nga afër proceset e integrimit europian. Sipas tij, qeveria e re nuk do të ndërtohet mbi nostalgjinë e socialistëve të vjetër, por mbi nevojën e domosdoshme për të përballuar fazën vendimtare të negociatave me BE. Ndërkohë, në krahun tjetër të politikës, Rada paralajmëron se Partia Demokratike mbetet peng i hijes së Sali Berishës, i cili pavarësisht humbjes në zgjedhjet e 11 majit, nuk do të largohet nga drejtimi i saj, duke e lënë opozitën pa perspektivë për të ardhmen.

-Z. Rada, si e shikoni ju portretin e mandatit të katërt të PS-së? Duke qenë se jemi në fund të muajit gusht dhe zakonisht në këtë periudhë PS thërret Asamblenë, keni ndonjë informacion se kur do të mblidhet ajo dhe a pritet që pikërisht aty të bëhen publike emrat e qeverisë së re?

Mandati i katërt i Edi Ramës nuk është thjesht një mandat për pushtet, por ka një dimension historik dhe strategjik. Kjo bazuar edhe në premtimin e vetë kreut socialist se në mandatin e katërt do të synohet së pari anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. Nisur nga kjo mund të parashikoj deri diku se qeveria e re do të ndërtohet jo mbi bazat e nostalgjisë partiake dhe besnikërisë, por me bazë teknokratike. Domethënë me ekspertë që njihen mirë me proceset, standardet dhe negociatat me Bashkimin Europian. Në fund të fundit e thënë ndryshe, me disa të rinj që flasin të paktën një gjuhë të huaj dhe kanë qenë ndoshta pjesë e grupit negociues deri më sot. Besoj se këto do të jenë veçoritë e shumicës së ministrave të rinj. Sa i përket Asamblesë, ne kemi patur eksperiencën e prezantimit të ministrave të rinj në fund të gushtit, por duke qenë së Kryeministri duhet të udhëtojë në fundjavë drejt Sllovenisë, këtë praktikë edhe mund ta shtyjë. Unë di me siguri që në 15 shtator qeveria e re do të votohet në Kuvend. Gjer atëherë Rama është i lirë të tregohet serioz dhe ta prezantojë qeverinë para Asamblesë, apo të lërë një kasetë me regjistrim dhe ta transmetojë në Facebook teksa vetë është në avion. Kjo në thelb nuk ndryshon asgjë, përveç formës.

Promoted Content

Një grua 60+ hoqi rrudhat për 7 ditë – pa injeksione!
SkinGlow
Njerëzit me dhimbje gjuri dhe ije duhet ta lexojnë këtë
Versatil

TUI
www.tui.com
-Ndërkohë ju keni përmendur mundësinë që qeveria “Rama 4” të jetë një qeveri e mbushur me teknokratë. Sa realiste është kjo dhe a do të ishte kjo garancia që mandati i katërt të mos mbetet peng i ciklit të brendshëm politik?

Ç’është e vërteta Partia Socialiste duket e helmuar nga thashethemet dhe intrigat që kanë kulmuar pas arrestimit të Erion Veliajt. Në mungesë të një transparence dhe llogaridhënie në lidhje me këtë situatë, minimalisht disa figura politike duhen frenuar për t’u bërë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Nga ana tjetër përfshirja e të rinjve në qeveri nuk është një dëshirë e imja, apo një parashikim qorrazi. Kam parasysh këtu jo vetëm procesin e integrimit, por edhe premtimet e Edi Ramës për rivitalizimin e PS me figura të reja dhe me këtë rivitalizim nuk mund të kuptojmë asgjë tjetër veçse prurjeve të reja në Parlament dhe në Qeveri. Sepse PS nuk ka më një forum rinor për shembull, që të themi se këto deklarata duan të hapin garën për këtë strukturë. Kështu në Grupin Parlamentar kjo është arritur deri diku. Më saktë është realizuar në nivele shumë më të larta se kundërshtari, pra përfshirja e të rinjve. Në Kabinet mendoj se do të ndiqet e njëjta logjikë.

-Si mund të ndihmojë eksperienca e teknokratëve në procesin e negociatave me Bashkimin Europian për të shmangur pengesat e politikës së brendshme?

Një ministër që ka marrë pjesë në takimet e Brukselit dhe ka hartuar dokumentacionet e kërkuara, e të tjera, sigurisht që është më i dobishëm në këtë proces sesa një personazh që ka marrë ca vota në zonë dhe rreh gjoksin si i preferuari i popullit. Pra ka ardhur momenti final që “të fortët” e bazës të mos shpërblehen me poste ministrore. Këtu nis dhe dallimi i shtetit me pushtetin. Duhet të kuptojmë se me anëtarësimin luhet fati i të gjithë popullit, jo vetëm i socialistëve.

–Si e shikoni aktualisht situatën brenda Partisë Demokratike?

Nëse e keni fjalën se a ka shpresë në PD, besoj se jo. Jo tani, por për një kohë të gjatë edhe nëse Sali Berisha largohet për zgjedhjet e veta apo të Zotit. Sepse e ka çimentuar dhe e ka përfshirë familjen e tij aq shumë në proceset e PD-së saqë hija e tij do të mbetet shumë gjatë dhe do të vijojë të diktojë edhe kur të mos jetë më pas nesh. Është pak a shumë ndikimi i emrit të Enver Hoxhës gjatë drejtimit të Ramiz Alisë. Berisha është kujdesur ta lejë këtë situatë dhe trashëgimi me parimin “sot unë, pas meje qameti u bëftë”. Nuk i intereson ta ketë askush tjetër pushtetin në PD veç vetes së tij.

-A keni ju një “recetë” se si PD mund të rikthehet në pushtet?

Për momentin jo. Të paktën edhe për 14 vite të tjera s’do jetë askush i aftë t’i bëjë derman Partisë Demokratike. Imagjinoni se Shqipëria do të anëtarësohet në vitin 2029 apo2030 në BE, sipas të gjitha premtimeve dhe zhvillimeve. Pse do të votonin shqiptarët Sali Berishën në 2029 ndërkohë që në BE po i anëtarëson Partia Socialiste? Dhe pse do të çmendej Edi Rama që t’ia linte PD-së qeverinë në momentin që Shqipëria bëhet pjesë e BE? Kështu që kjo çështja e fitores së PD-së vijon e bëhet e pamundur zgjedhje pas zgjedhjesh.

–Duke qenë se z. Berisha humbi zgjedhjet e 11 majit, mendoni se ai do të respektojë nenin “Basha” dhe t’i nënshtrohet votëbesimit?

Jo nuk do ta respektojë dhe ne nuk kemi pse habitemi me një njeri që me pabesi ka drejtuar shtetin, e jo më partinë që e ka çifligun e tij. Nëse largohet Sali Berisha nga PD, ku do të rrijë? Familjarët i rrinë gjysmën e vitit në Mynih, gjysmën tjetër në Dubai. Herë me arreste shtëpie e herë me detyrime paraqitje. Pse duhet të rrijë në shtëpi Berisha ndërkohë që të gjithë shërbëtorët e vet i ka në zyrë dhe në grup parlamentar? Berisha e pati mundësinë të amnistohej nga drejtësia e re dhe SHBA-të që në 2013. Tentoi të luajë me PD-në përmes Bashës, sulmoi partinë e tij, u shpall non-grata nga dy shtetet më të fuqishme të globit dhe tani do përballet me pasojat për aq kohë sa të ketë fuqi fizike. Kur t’i shterojnë dhe ato, me hallet e shtëpisë së Berishës do merren Flamuri, Albana, etj.

-A rrezikon PD të përçahet edhe më tej për shkak të rivaliteteve të brendshme?

Nuk ka asnjë rivalitet brenda PD dhe duhet të bindemi për këtë njëherë e mirë. Ata që dukeshin si kryengritës kanë ikur nga PD me kohë. Hapni televizionet të shihni sesi ata që përzuri Berisha kanë përfunduar të gjithë si analistë politikë nëpër studio. Disa të tjerë nëpër rrethe janë bërë pjesë e qeverisjes së Ramës në shkëmbim të votave të fisit të tyre. Lulzim Basha ka humbur dhe me siguri do të ndjekë shembullin e Fatos Nanos. Pjesë tjetër aktive në selinë blu që të kundërshtojë veprimet e lidershipit nuk ka mbetur.

-Nga ana tjetër, hetimi nga SPAK duket se e ka vënë ish-presidentin Ilir Meta në një pozitë të vështirë. Mendoni se ky është fundi i karrierës së tij politike, apo ai do të arrijë të rikthehet përsëri në qendër të lojës?

Fundi i karrierës së Ilir Metës ndodhi që kur ishte në Presidencë. Ajo që po shohim tani është fundi i partisë së tij. Domethënë nëse kishte ndonjë dyshime se Meta kur të rikthehej në terren do të ringrinte partinë, tani e ka të qartë dhe zgjedhjet e fundit e treguan këtë. Është e paimagjinueshme sesi një parti të përfundojë nga 18 deputetë në 7 mijë vota në Qarkun Tiranë saqë të mos nxjerrë dot deputet as kryetarin e saj. Pa llogaritur pjesën tjetër që të fshehë në listat e Berishës individë për të marrë qyl mandate deputetësh. Meta mund të dalë nga qelia nëç do moment, por çfarë do të gjejë jashtë dhe kush do ta ndjekë? Kështu që sigurisht fundi është prekur. Meta po gëzon vetëm hapësirën mediatike që i japin për hir se ka patur funksione të larta publike.

–A duhet të japë Meta llogari për aferat korruptive që dyshohet se është përfshirë…

Sigurisht që po. Madje edhe për ato që nuk është nën hetim duhet të rrëfehet dhe na ka borxh një sqarim. Jo detyrimisht të marrë përsipër fajësinë, por të përgjigjet me seriozitet në respekt të qytetarëve. Sepse e pamë të shpërfytyruar për vite me radhë, ku akuzave i përgjigje herë si Vojo Kushi, herë si Mujo Ulqinaku dhe pamë sesi kjo sjellje e degraduar e çoi në pikiatë. Ndërsa para drejtësisë duhet të japë llogari sa herë që t’ia kërkojnë edhe pse Shqipëria fatkeqësisht vuan nga ‘pentitot’ e politikës.

-Ndërkaq ish-kryeministri Sali Berisha po hetohet nga SPAK për aferën “Partizani”. Si mendoni se do të ndikojë ky proces në pozitën e tij brenda Partisë Demokratike dhe në imazhin e tij publik?

Vetë procesi i tejzgjatur për ‘Partizanin’, masat e sigurisë që ndryshojnë herë pas here, apo fakti që Sali Berisha dikton trupat gjykuese dhe datat e gjyqeve e bëjnë qesharake situatën. Pa llogaritur që vetë akuza është qesharake. Këtu po gjykohet për disa apartamente një njeri që mbart mbi shpinë krimet më makabre që i kanë ndodhur vendit në 100 vite. As në diktaturë nuk vritej njeri me duar në xhepa në rrugë apo të shpërthente ndonjë fabrikë e të vriste 30 vetë përnjëherë. Unë nuk po them se fitilin e Gërdecit e ka ndezur Berisha, por qeveria mban përgjegjësi. duke u dorëhequr apo duke tërhequr kryeministrin dhe ministra. Ky personazh që u ka ardhur shqiptarëve si mallkim,jo vetëm që nuk mbajti përgjegjësi, por mori në mbrojtje edhe vrasësit dhe i futi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, si rasti i Gardistëve të 21 Janarit, etj. Këto për disa duken si çështje të konsumuara, por ki parasysh së këta njerëz që kanë humbur jetën nga duart e shtetit kanë lënë pas fëmijë jetimë, prindër, gra, burra e të tjerë. Pra janë shkatërruar familje të tëra nga papërgjegjshmëria e Sali Berishës. Dhe e gjitha kjo për pasurimin e paligjshëm të familjarëve dhe klikës së tij. Dhe sot fatkeqësisht këto para i shohim të investohen serbes madje edhe në media.

Intervistoi: Rigels Seliman

Etiketa: ardit radaNdryshime radikalePSqeverirama

Promoted Content