Pas masave të marra ndaj restoranteve, kafeneve dhe lavazheve për lirimin e hapsirave publike, tashmë kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa edhe për varrezat e makinave që veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se jemi i vetmi vend në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj teksa paralajmëroi një operacion të ri për zhdukjen e tyre.
“Tjetra është sfida e përafrimit me direktivat e BE dhe ky ligj i ri merr përsipër të bëjë këtë gjë, të përafrojë direktivat e BE 100% me legjislacionin shqiptar. Nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit e plazheve sidomos gjatë sezonit kemi bërë përparime dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve ku përfshihen letra, qelqi, automjeti.
Jemi besoj i vetmi vend në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë këtyrë varrezave dhe jemi vend që s’ka akoma detyrim për prodhuesit, shpërndarësit e importuesit me këtë që thashë, për trajtimin dhe çfarë ndodh me gjithë këto materiale kur kryejnë misionin e tyre si ambalazh, pajisje elektrike apo si automjete. Për këtë kemi një ligj që do të kalojë në Kuvend brenda këtij viti”, tha Rama.
Pas dështimit me inceneratorët, kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme “shpikjen më të re” për menaxhimin e mbetjeve.
Tani kjo “shpikje” ose “institucion” sipas protokollit të qeverisë, do të quhet Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve.
Ai ka bërë të ditur se qeveria do të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve në vend, duke njoftuar një paketë të re reformash që synon të adresojë dështimet e deritanishme, përfshirë problemet me inceneratorët.
Rama theksoi se, megjithëse proceset e pastrimit janë përmirësuar në disa aspekte, ka ende një mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve dhe një trajtim të pamjaftueshëm të mbetjeve.
“E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re një përmirësim të mëtejshëm te proceseve të pastrimit, nuk vëmë re as ndonjë vetëdijesimi të qytetarëve dhe nuk vëmë re përmirësime as në trajtimin e mbetjeve.
Duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë të re reformash dhe masash. Së pari është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku kemi parashikuar krijimin e operatorit kombëtar të trajtimit të mbetjeve. Një ndërmarrje e re që do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, duke përqndruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve. Pra e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve. Që nuk do jetë më i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar, në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes, ku bashkitë do të jenë klientë, si për shërbime të tjera.”,tha Rama.
edi rama