Ish-presidenti i Kosovës dhe miliarderi Behgjet Pacolli mbërriti me urgjencë dy ditë më parë në Kryeministri, për të takuar Edi Ramën. Baca nga Kosova kishte një tjetër hall, Pacollit po i bëjnë presion për t’i marrë aeroportin e Vlorës me forcë.
Në datën 21 gusht, asambleja e ortakëve të shoqërisë Mabco Construction që është në pronësi të Behgjet Pacollit, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, u mblodh me urgjencë në Lugano të Zvicrës.
Në rendin e ditës të mbledhjes jashtë radhe kishte vetëm një pikë totalisht të pazakontë dhe shumë të çuditshme.
“Sot me date 21.08.2025, shoqeria Mabco Constructions SA ortake ne shoqerine “Vlora International Airport -VIA” sh.p.k vendosi kufizimin e çdo transferimi pronesie (te kaluar, te tashem apo te ardhshem) te kuotave te zoteruara nga Mabco ne kapitalin themeltar te VIA, deri ne nje vendimmanje te dyte, dhe te regjistrimit te tyre ne Qendren Kombetare te Biznesit,” thuhet në vendim.
Pra shoqëria ka marrë vendim që të mos lejojë asnjë shitje aksionesh në aeroportin e Vlorës. Kjo është njësoj sikur një qytetar të marrë vendim për të ndaluar shitjen e shtëpisë së tij, kur në fakt i vetmi që mund ta shesë shtëpinë është po vet qytetari.
Çfarë e shtyn një kompani të marrë një vendim të tillë? Në fakt, kjo është mbrojtja që Behgjet Pacolli po i bën vetes nga Zvicra për presionet që po i bëhen në Tiranë për t’i marrë aeroportin. Ose dalja nga një marrëveshje potenciale jopublike.
Dhe mënyra se si është formuluar vendimi flet për shitje aksionesh apo marrëveshje në të kaluarën. Kjo hedh dyshime të tjera.
Skandali i rëndë tashmë është ndërkombëtarizuar. Kapitali ka mësuar se kompania ka vënë në dijeni zyrtarisht të paktën dy ambasada në Tiranë se po tentojnë t’i rrëmbejnë biznesin. Kjo ishte me sa duket se arsyeja se pse Edi Rama e priti me urgjencë Behgjet Pacollin në zyrën e tij në kryeministri.