Nuredin Dumani, dëshmitari i drejtësisë, është transportuar menjëherë në spital pas shfaqjes së problemeve serioze shëndetësore.
Sipas burimeve ai ka patur shqetësime të takikardisë dhe më pas ka pasur vështirësi në frymëmarrje.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Është njoftuar RENEA dhe forcat speciale të burgjeve për organizimin e transportit të tij, ndërsa në dijeni është vënë edhe SPAK-u.
Fitim Dumani, vëllai i vrasësit me pagesë Nuredin Dumani që është i arrestuar dhe i penduar i drejtësisë, ka treguar se sipas tij, i shumëkërkuari Talo Çela është vrarë.
Përplasja mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, të cilët dikur kanë qenë miq, ka prodhuar shumë të vrarë ndër vite në aksin Elbasan e Durrës.
Prej rreth 3 vitesh, nuk dihet më asgjë rreth Talo Çelës, i cili është një nga më të kërkuarit e policisë.
Por vëllai i Nuredin Dumanit, Fitim Dumani, thotë se ai është vrarë.
Në një intervistë që ka dhënë për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin ‘MaShqip’, Fitim Dumani ka thënë se konflikti mes Çelës dhe vëllait të tij Nuredin Dumani nisi për një shumë parash prej 10 mijë euro.
“Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat. Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, është shprehur ndër të tjera, Fitim Dumani.